Paralajmërimi i fortë i Bashës/ Nuk ka oligark dhe të korruptuar që na shantazhon. Pas 11 Majit do të përballen me grushtin e ligjit

9 Prill 2025, 16:47 / POLITIKË ALFA PRESS

Paralajmërimi i fortë i Bashës/  Nuk ka oligark dhe të

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka lëshuar një mesazh të fortë ndaj kujtdo që shantazhon, thur intriga dhe bën presion në kurriz të demokratëve dhe të shqiptarëve.

Në një takim me mbështetës dhe qytetarë, ai është treguar i ashpër ndaj të gjithë atyre që kanë filluar t’i bëjnë presion njerëzve dhe mbështetësve të tij në këmbim të votës dhe mbështetjes për parti apo grupacione të tjera.

Ky mesazh i Bashës vjen një ditë pasi Koalicioni Euoratlantik ka kallëzuar në SPAK kandidatin e Berishës në Durrës, ish-prokurorin Arjan Ndoj, i cili u largua nga sistemi i drejtësisë si rezultat i lidhjeve të tij me botën e nëndheshme të krimit.

Mesazhi i Bashës, me sa duket, ka pasur lidhje me sinjalet që Ndoj dhe të tjerë kandidatë të inkriminuar  po bëjnë në zona të caktuara ndaj mbështetësve të tij.

Më poshtë pjesë nga reagimi i Bashës:

“Nuk ka oligark, kriminel apo të korruptuar që na blen, na shantazhon apo që thurr intriga në kurrizin tonë, apo në kurriz të shqiptarëve. Ne kemi qëndruar për gjëra të mëdha, ne jemi nisur për gjëra të mëdha dhe pas 11 Majit, me lejen e Zotit, me votën e shiptarëve, ne do t’i japim Shqipërisë qeverisjen e ardhshme, programin e ardhshëm qeveritar, ndaj kujtdo që i shkon mendja të luajë apo të cënojë votën tonë, njerëzit tanë, strukturat tona, t’i bëjë mirë llogaritë, sepse pas 11 Majit do të përballet me grushtin e hekurt të ligjit në fytyrën e tyre, në bankat e tyre, në paratë e korrupsionit dhe në gjithçka që kanë. Ne jemi nisur për të qeverisur Shqipërinë dhe do ta bëjmë këtë me pastërtinë e shpirtit, që nuk e ndotëm për afera korruptive e interesa personale. Me vendosmërinë e hekurt që nuk na e thyeu dot asgjë dhe askush dhe me vizionin dhe dashurinë për këtë vend".

 

 

Po ndodh...