Rama paralajmëron ndryshime të tjera ligjore që prekin drejtësinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se do të çojë përpara nismën ligjore që bllokon masën e pezullimit nga detyra për anëtarët e kabinetit të tij, sikurse edhe ndryshime të tjera në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, pavarësisht shqetësimeve se këto nisma mund të jenë një kërcënim për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Nisma që propozon ndryshim të Kodit të Procedurës Penale mori shkak nga vendimi për pezullimin nga detyra të ish zv.Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukurës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
“Ai është një ndryshim i domosdoshëm që do bëhet, siç e kemi thënë dhe është në proces dhe do votohet, nuk diskutohet fare,” tha Rama.
“Nuk ka shans që të ndodhë më në Shqipëri që të çohet një prokuror me një gjykatës që të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë apo të institucioneve të tjera të cilat nuk mund ta delegojnë dot,” shtoi ai.
Rama pranoi gjithashtu se këto nuk janë ndryshimet e vetme ligjore që do të ndërmerren në këtë drejtim.
“Patjetër që ne do bëjmë ndryshime të tjera, sepse kemi Kodin e ri Penal, kemi ndërhyrjet e domosdoshme në Kodin e procedurës Penale,” tha Rama, duke shtuar se këto nuk kishin si qëllim apo ‘ëndërr’ për të kthyer pas reformën në drejtësi, por për ta përmirësuar atë.
Ndryshimet ligjore që prekin funksionimin e oganeve të drejtësisë kanë shqetësuar Prokurorinë e Posaçme, SPAK, e cila në raportin vjetor të punës i cilëson nismat që synonjnë kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj si “rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës,”
Kryeministri u përgjigj me ton sarkastik ndaj këtyre shqetësimeve.
“…Mendoj që nuk është puna e SPAK-ut që t’i thotë Parlamentit të Shqipërisë që çfarë duhet të bëjë Parlamenti i Shqipërisë. SPAK të shohë punën e vet, ne të shohim punën tonë…,” tha Rama, duke shtuar se parlamenti “nuk varet as nga SPAK, as nga ambasadat as nga askush tjetër”.
Draft-propozimi i Kodit të ri Penal u prezantua disa muaj më parë nga Ministria e Drejtësisë dhe u kritikua nga aktorë të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile, si nismë që sillte “konfuzion dhe paqartësi”, ndërkohë që parashikonte zbutje të dënimeve të korrupsionit për zyrtarët e lartë dhe dukej se eleminonte dënimet e tyre për vepra penale të rëndësishme si ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljeve në tendera.
Rama ndryshoi retorikën e tij ndaj punës së drejtësisë pas akuzave të ngritura ndaj bashkëpunëtores së tij të ngushtë, Belinda Balluku, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.
Të enjten, mazhoranca socialiste përdori votat në Parlament për të rrëzuar kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për një masë arresti ndaj Ballukut, duke i ofruar asaj mburojë politike ndaj hetimit të nisur. Vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe vetë delegacioni I BE-së në Tiranë shprehën shqetësime për pasojat që mund të ketë ky qëndrim në procesin e integrimit europian dhe vunë theksin tek pavarësia e organeve të drejtësisë dhe mospengimin e punës së SPAK./BIRN
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128




