Sara Mila: Nuk e çojmë ndërmend as dorëheqjen dhe as zgjedhjet e parakohshme. Jemi të zënë këto kohë, me futjen e Shqipërisë në BE

20 Qershor 2026, 22:51 / POLITIKË ALFA PRESS

Sara Mila: Nuk e çojmë ndërmend as dorëheqjen dhe as

Deputetja socialiste, Sara Mila e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka zbuluar detaje lidhur mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ku ndër diskutimet ishte edhe protesta. Mila gjatë fjalës së saj u shpreh se qeveria dhe PS respektojnë protestën dhe çmojmë lirinë e fjalës teksa shtoi se nuk mendohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama ose zgjedhje të reja.

Sipas saj, qeveria është në mes të një misioni drejt BE-së për të cilën shqiptarët në zgjedhjet e kaluara iu besuan 83 mandate. Lidhur me protestat ajo u shpreh se Rama ka kërkuar disa herë që të flasin dhe të sqarohen lidhur me ndërtimin në Zvërnec.

Ajo shtoi se me banorët e Zvërnecit, kryeministri Rama ka ezauruar një komunikim i cili ishte publik. Sipas saj ata nuk kanë parë të njëjtën gatishmëri nga ana e protestuesve teksa shtoi se qytetarët mund të jenë skeptikë.

“Ne në fakt ditën e sotme vijmë nga një ditë ku kemi pasur një mbledhje të zgjeruar në fakt, të përmuajshme, siç është bërë tashmë traditë. Çdo muaj ne bëjmë një mbledhje më të zgjeruar sesa ato që zakonisht i bëjmë çdo fillim jave me drejtuesin e grupit tonë, me zotin Taulant Balla. Patjetër që nuk mund të ishte jashtë vëmendjes ditës së sotme edhe protesta. Ndamë gjithçka me njëri-tjetrin, mendime, ide. Ishte një diskutim shumë i hapur ku gjithsecili pati momentin e vet për të thënë të tijën.

Megjithatë, nëse ka diçka për të cilën i gjithë grupi parlamentar është në unison, është fakti se padiskutim respektojmë protestën dhe çmojmë shumë lirinë e fjalës dhe veprimit në të. Por në asnjë moment në fakt nuk e shohim këtë protestë siç shumë herë edhe është diskutuar në media apo është folur në fakt edhe në studio të ndryshme televizive, ku mund të jetë dorëheqja një opsion apo ku mund të jenë zgjedhjet e parakohshme një opsion tjetër.

Ne jemi në mes të një procesi të cilit ia kemi premtuar shqiptarëve të paktën një vit e pak më parë kur morëm edhe 83 mandate. Jemi në mes të një procesi negociatash me Bashkimin Europian. Gjithçka po shkon mirë dhe mbarë në atë aspekt.

Ju vetë e keni parë progresin e Shqipërisë, jo vetëm në fjalë në fakt që mund të themi ne si përfaqësues të Partisë Socialiste të mazhorancës, por faktike ato që vetë Bashkimi Europian thotë. Jemi në gjysmë të rrugës për të mbyllur disa prej kapitujve më të rëndësishëm dhe po vrapojmë drejt targetit që të mund t’i mbyllim ato të gjitha në vitin 2027. Prandaj nuk shohim realisht arsye për të ndalur këtë hap, për të ndalur këtë sfidë që kemi me veten, me historinë e për të cilën në fakt shqiptarët na besuan”, tha ajo ndër të tjera.

Po ndodh...

ide