Socialisti i zhgënjyer shkon në mitingun e PD: Do të thonë se u shita, por…

9 Maj 2025, 20:35 / POLITIKË ALFA PRESS

Socialisti i zhgënjyer shkon në mitingun e PD: Do të thonë

Një moment i pazakontë u regjistrua në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike në Bulevardin e Ri, ku Shkëlqim Ahmetaj, një qytetar që deklaroi se ka qenë pjesë e administratës gjatë gjithë qeverisjes së Partisë Socialiste, i bashkohet thirrjes për ndryshim.

“Jam një socialist prej 30 vitesh,” u shpreh Ahmetaj para turmës. “Në këto 12 vite me PS në qeveri kam qenë në administratë, gjithmonë në mbështetje të njerëzve në nevojë. Por sot jam këtu për të denoncuar një premtim të pambajtur – mungesën e qendrave multidisiplinare për fëmijët me problematika dhe për familjet e tyre.”

I revoltuar, Ahmetaj theksoi se nuk mund të heshtë më, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të mos e shesin votën dhe të përqafojnë ndryshimin:
“Do hidhen akuza ndaj meje, do thonë ‘u shit, u ble’. Por liria nuk ka çmim. As jeta e njeriut. Ndryshimi është vlerë e demokracisë dhe sjell gjëra të mira pas vetes.”