E goditi topi në fyt, futbollisti mbyll sezonin pas një frakture serioze në laring

29 Prill 2025, 19:55 / SPORT ALFA PRESS

E goditi topi në fyt, futbollisti mbyll sezonin pas një frakture

Një moment shqetësues shënoi sfidën mes Bochum-it dhe Union Berlin-it, në javën e 31-të të Bundesligës.

Mbrojtësi portugez, Diogo Leite, titullar në formacionin e kryeqytetasve gjermanë, u godit drejtpërdrejt në fyt nga një top i fuqishëm i gjuajtur nga Matus Bero në minutën e 58-të dhe u detyrua të largohej nga fusha me barelë.

Sipas burimeve zyrtare të klubit dhe raportimeve të Sky Sports Germany, Leite ka pësuar një frakturë në laring, një dëmtim i rrallë që përfshin strukturën kartilagjinoze të këtij organi.

Si pasojë, 26-vjeçari nuk do të rikthehet më në fushë për pjesën e mbetur të sezonit, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për përkeqësim të dëmtimit.

Megjithatë, lajmet pozitive nuk mungojnë. Union Berlini ka publikuar një foto të Leite gjatë stërvitjes së fundit publike, duke treguar se ai tashmë ka dalë nga spitali dhe ka vizituar shokët e skuadrës.

“Shikoni kush ishte sot në stërvitje për të parë shokët që djersitin.

Diogo doli dje nga spitali dhe na vizitoi sot. Tani mbetet vetëm të rikuperohet sa më shpejt. Është mirë që je kthyer, Diogo”, thuhej në postimin e klubit.

Leite, i cili iu bashkua Union Berlinit nga Porto në vitin 2023, është bërë një titullar i pazëvendësueshëm në skuadër.

Ai ka luajtur 30 ndeshje në Bundesligë këtë sezon, 29 si titullar, ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë 2 asistime.

Kontributi i tij ishte vendimtar në kualifikimin historik të skuadrës në Champions League dhe në ruajtjen e statusit elitar këtë sezon.

 

Po ndodh...

ide