“Ishim si kafshë”, ish-futbollisti i Mançester Junajtid është i bindur: Ferguson do përfundonte në burg nëse do të drejtonte tani

14 Maj 2025, 19:56 / SPORT ALFA PRESS

“Ishim si kafshë”, ish-futbollisti i Mançester Junajtid
Aleks Ferguson kujtohet nga të gjithë si një trajner legjendar pasi me 13 kampionate të fituara me Mançester Junajtid e dy Liga Kampionesh, padyshim ka krijuar një dinasti të paharrueshme. Por pjesëtarët e atyre skuadrave kujtojnë se puna e skocezit funksiononte pasi gjërat ishin ndryshe në atë periudhë, sepse karakteri i fortë i tij nuk do të bënte punë në ditët e sotme.

Patris Evra, një nga emrat e fundit të ciklit fitimtar, ka treguar në ‘SDS Podcast’ disa histori nga ajo periudhë. “Nëse Ferguson do të drejtonte tani, me shumë mundësi do të përfundonte në burg! Nuk ka mënyrë që të mbetesh jashtë burgut me gjërat që bënte… A e dini se sa lojtarë kam parë duke qarë pas shpërthimeve të tij apo duke i gjuajtur me këpucë?”, tha ai.

Më pas, Evra kujtoi një moment në një ndeshje ndaj Liverpulit në fushën e rivaleve historike, kur Nani pësoi një faull të rëndë dhe mbeti duke qarë në fushë. Ai kujtoi se si fillimisht Skols kishte shkuar duke sharë shokun e skuadrës, ndërsa më pas vetë Ferguson i ishte drejtuar atij. “Shpresoj që të të jetë thyer këmba, pasi një lojtar i Junajtid nuk mund të qajë në “Anfield”, ishin fjalët e trajnerit sipas Evra, i cili shpjegoi se pas asaj ndeshje, të gjithë lojtarë e tjerë e trajtuan shumë keq Nanin.

“Pas asaj ndeshje po pritnim stërvitjen që të vritnim Nanin. Kështu po të shpjegoj se sa të këqij ishim. Nëse qaje se ishe gjakosur, kishe marrë fund. Nuk ishe më pjesë e jona. Në fund, Ferguson i dha një javë pushim që të rikuperohej, pasi po e pritnim që ta vritnim. Edhe tani përdorim foton e Nani duke qarë në grupin e Whatsapp të Junajtid.

Ne ishim njerëz të këqij. Dua t’i kërkoj falje të gjithë të rinjve që vinin të stërviteshin me ne. Ishim të gjithë kafshë”, tha Evra.

 

Po ndodh...