30-vjeçari nga Mallakastra prej 6 ditësh i zhdukur, shkoi të paguante traktoristi e s’u kthye më

5 Maj 2025, 18:04 / AKTUALITET ALFA PRESS

30-vjeçari nga Mallakastra prej 6 ditësh i zhdukur, shkoi të

30-vjeçari nga fshati Hekal i Mallakastrës, Muhamet Caushaj, rezulton i zhdukur prej 6 ditësh, pasi ka humbur kontaktet me familjarët që prej mëngjesit të së mërkurës (30 Prill).

Njerka e tij, Shkëndi Caushaj, tregon për mediat se i riu mëngjesin e asaj dite shkoi për t`i paguar një shumë parash një bashkëfshatari për kryerjen e disa punimeve në ara me traktor, por nuk u kthye më dhe nuk është përgjigjur as në telefon.

“Djali ka që në datën 30 që u largua, iku për të paguar paratë a barit që kishim për të korrur, i mori paratë, iku shumë mirë. Pritëm për të ardhur, kaloi 1 orë, 2, e mora në telefon, i vajti zilja nuk ma ngriti telefoni. Mbas 2-3 orësh u bëmë shumë merak. Vajti burri tek ai boti atje lart, që i kishte vajtur a i kishte çuar lekët. I kishte çuar lekët, i kishte dorëzuar lekët dhe më pas asnjë nuk e kishte parë se nga kishte ikur në cilin drejtim” – shprehet ajo.

Motori me të cilin është larguar nga banesa i riu, është gjetur në fshatin Levan të bashkisë Tepelenë, por asnjë gjurmë nga 30-vjeçari.

“Njoftuam Policinë, punë e tyre nuk e di se çfarë kanë bërë, edhe ne nëpër këto, kemi bredhur vetë në Fier, në Vlorë e në çdo vend, kemi pyetur dhe asnjë kontakt nuk kemi. Vetëm një herë ka qenë në emigrancion dhe është kthyer, nuk ka punuar. Nuk vuan as ngandonjë sëmundje” – tha ajo.

Shkëndi Caushaj shprehet se i riu nuk ka pasur probleme me njeri, ndërsa apelon për ndihmë nga policia e shtetit dhe strukturat ligjzbatuese.

“Asnjë fjalë nuk kemi, asnjë të dhënë, asnjë gjurmë. Njëri në telefon që më mori dhe ia di për shumë faleinderit, më tha që e kishte parë atë personin në foto, me motor, që e kishte futur motorin në atë vendin atje. Vajtëm e verifikuam, motori ishte i yni dhe djalin nuk e gjetëm. Kush ta shikojë, vetëm një telefonatë, dua ta di, vetëm të jetë mirë” – u shpreh njerka e 30-vjeçarit.

Familja nuk ka pista dyshimesh në lidhje me zhdukjen e të afërmit të tyre, ndërsa kërkojnë ndihmë nga shteti për gjetjen e tij.

Gjithashtu, kërkohet ndihmë dhe nga qytetarët dhe u bën apel të gjithë atyre që mund ta kenë parë ose kanë ndonjë informacion, të kontaktojnë në numrin 069 46 76 926.

 

Po ndodh...

ide