Avokatja e Populit: Media e lirë dhe e pavarur, shtyllë e funksionimit demokratik

3 Maj 2025, 16:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

Avokatja e Populit: Media e lirë dhe e pavarur, shtyllë e funksionimit

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca  përshëndeti rolin thelbësor që luajnë gazetarët në garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sipas Ballancës, media e lirë dhe e pavarur është një ndër shtyllat e funksionimit demokratik dhe një ndër aleatët më të rëndësishëm të institucioneve që mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

“Më 3 maj të një viti më parë, Avokati i Popullit publikoi një raport të rëndësishëm mbi procedurat hetimore dhe ndikimin e tyre në të drejtën për informim të publikut dhe të gazetarëve, një dokument që nxiti debat të vlefshëm për balancën ndërmjet nevojës për hetime efektive dhe të drejtës për një shtyp të lirë.

Gjetjet e raportit u dëshmuan me kohën si të drejta dhe të domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave themelore”, thotë Avokatja e Popullit në një postim në rrjetet sociale, ndërsa thekson faktin se “sot, më shumë se kurrë, kujtojmë se liria e medias nuk është një e drejtë vetëm e gazetarëve, është një garanci për çdo qytetar që ka të drejtën të dijë”.

Avokatja e Popullit u bën thirrje autoriteteve që të mbrojnë këtë liri në praktikë, të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe të sigurojnë qasje të drejtë dhe të barabartë në informacion publik.