Krimi në Shkodër/ Çifti amerikan braktisën vendin e tyre për Shqipërinë: Kemi rënë në dashuri me Tiranën

2 Maj 2025, 15:06 / AKTUALITET ALFA PRESS

Krimi në Shkodër/ Çifti amerikan braktisën vendin e tyre

Shkodra është tronditur paraditen e sotme nga një ngjarje e rëndë që ndodhi mes një çifti amerikan.

Brendon Saporito, 57 vjeç masakroi bashkëshorten e tij Sandra Saporito, 53 vjeçe, me thikë dhe më pas tentoi të presë damarët e dorës me thikë.

Gjithashtu policia ka bërë me dije se ai është shoqëruar ndërsa 57-vjeçari ishte në gjendje të dehur.

Sakaq, Shkodra duket se ishte destinacioni i fundit i asaj që duhej të ishte një aventurë për çiftin.

Një nga miqtë shkruan në një postim në profilin e autorit më 21 mars: “Shumë i lumtur që unë dhe Jason kaluam natën e fundit me Brendonin dhe Sandrën përpara se ata të nisnin disa aventura të reja të jashtëzakonshme në jetë! U urojmë atyre dhe qenushit të tyre të adhurueshëm Harvey gëzim të pafund, shëndet të plotë dhe përvojat më të mrekullueshme të jetës së tyre! Çfarë fati që ishim bashkë para nisjes suaj”.

Çifti kishte vendosur të largohej përfundimisht nga SHBA, pasi më 24 mars ata kishin shitur edhe makinën e fundit dhe janë përgatitur për një fillim të ri në Europë.

“Po bëhet realitet! Makina u shit dhe nesër është dita jonë e fundit në SHBA para se të lëvizim në Europë! Ndjehem e emocionuar!”, shkruante Sandra në një postim të mbushur me gëzim dhe emocion.

Gjithashtu në rrjetet sociale, viktima ndante detaje për udhëtimin që i priste: “Fillimisht do të nisim me një tur të ngadaltë në Europë. Do të qëndrojmë disa kohë në Ballkan dhe më pas do të udhëtojmë në Europë, derisa të gjejmë një shtëpi që do të na pëlqejë dhe që do ta blejmë. Do të fillojmë me Shqipërinë, ku kemi planifikuar të qëndrojmë për 9 muaj dhe më pas do të bëjmë vizita 1 ose 2 mujore në disa shtete”.

Më 27 mars, Sandra dhe Brendoni mbërrijnë në Shqipëri. Destinacioni i parë është Tirana, ku kalojnë disa ditë të qeta dhe të mbushura me përjetime pozitive. Sandra shkruan në rrjetet e saj sociale se kanë rënë në dashuri me Tiranën.  “Kemi rënë në dashuri me Tiranën”, shkruan Sandra më 30 mars, duke ndarë foto nga Piramida dhe Parku i Liqenit Artificial.