L'Espresso: Objektivi kryesor i protestave të mëdha, ndërrimi i klasës politike të korruptuar!

“Jemi thjesht një valë të rinjsh që duan të rikthejnë të ardhmen e vendit të tyre.” Ajo që dukej se ishte e destinuar të mbetej një protestë e vogël lokale, shumë shpejt u shndërrua në një lëvizje të aftë të trondisë qeverinë e Edi Ramës.
“Kjo që po ndodh nuk është një protestë e zakonshme politike. Nuk drejtohemi apo koordinohemi nga liderë ose parti. Jemi thjesht një valë të rinjsh që duan të rikthejnë të ardhmen e vendit të tyre.” Kështu shprehet fotografja Alma Aluku, një nga qindra mijëra shqiptarët që prej javësh po dalin në sheshe kundër qeverisë së Edi Ramës dhe establishmentit politik të vendit.
Gjithçka nisi në fund të muajit maj me fillimin e fazës përgatitore të punimeve për projektin e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Rëndësia ekologjike e kësaj zone shkaktoi menjëherë protesta nga grupet ambientaliste. Megjithatë, ajo që dukej se do të mbetej një protestë e vogël lokale, shumë shpejt u kthye në një lëvizje të aftë të vërë në vështirësi qeverinë Rama.
“Pika e kthesës për shumë njerëz ishte një video nga ishulli i Zvërnecit, pjesë e zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës. Në pamje shihet një protestues që merret me forcë nga rojet private të kantierit, ndërsa forcat e rendit nuk bëjnë asgjë”, thotë për L’Espresso Dorina Lamaj, një tjetër e re shqiptare që ka zgjedhur të marrë pjesë në protesta.
“Pamje si ato të Zvërnecit shkaktuan zemërim të jashtëzakonshëm. Kuptuam se sa shumë qeveria dhe autoritetet shtetërore po i injoronin shqetësimet tona, ndaj spontanisht gjithnjë e më shumë njerëz dolën në rrugë. Kërkesat kryesore nuk lidhen vetëm me ndalimin e punimeve për resortin e Kushnerit. Shumë prej nesh kërkojnë edhe dorëheqjen e Ramës dhe ardhjen e një klase të re drejtuese, më të re në moshë dhe më kompetente. Edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, konsiderohet përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë”, shpjegon Alma Aluku.
Reagimi i politikës shqiptare dhe veçanërisht i Ramës nuk ka qenë aspak i butë. Kryeministri shqiptar i ka akuzuar protestuesit se po manipulohen nga fuqi të huaja si Irani dhe Greqia. Akuza që nga sheshi refuzohen me forcë.
“Në të vërtetë, jemi ne ata që po luftojmë për sovranitetin e vendit tonë. Shumë prej nesh janë të shqetësuar pikërisht nga marrëdhëniet e Ramës me disa fuqi të huaja. Mendoj, për shembull, për qeverinë amerikane dhe atë izraelite. Resorti i Kushnerit është simboli i rrezikut që vendi ynë të përfundojë në shitje dhe në duart e ndikimeve të huaja”, thotë Olsi Aluku, vëllai i Almës.
Ndërkohë, javët kalojnë dhe protestat nuk tregojnë shenja ndalimi. Megjithatë, rezultati i tyre është ende i pasigurt.
“Objektivi është i qartë: zëvendësimi i klasës aktuale politike. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ta arrijmë. Edhe nëse nuk ia dalim menjëherë, këto protesta kanë arritur tashmë një rezultat të rëndësishëm: fryma e protestës tek populli shqiptar është zgjuar. Sidomos tek të rinjtë që nesër do të qeverisin. Mes nesh nuk ka vetëm aktivistë apo grupe politike, por shumë njerëz të zakonshëm. Edhe nëna të reja me foshnja në karrocë. Shpresa jonë është që këto protesta të ndalin emigrimin e brezave të rinj nga vendi ynë dhe të tregojnë se të qëndrosh dhe të luftosh për një të ardhme ndryshe është e mundur”, shpjegon Lamaj.
Çështja e emigracionit është shumë e ndjeshme në Shqipëri. Aktualisht, 43% e popullsisë shqiptare jeton në vende të tjera. Shumë anëtarë të diasporës po organizojnë manifestime në mbështetje të protestave në vendet ku jetojnë, përfshirë edhe Italinë. Shumë shqiptarë të emigruar ndajnë të njëjtat shqetësime me ata që kanë mbetur në atdhe.
Mes tyre është edhe Jessi Kume, e cila jeton aktualisht në Kanada.
“Një nga motivet kryesore të protestave është edhe detyrimi për të emigruar. Shumë të moshuar po shkojnë me vështirësi në protesta sepse kanë mbetur vetëm. Dhe këtë dhimbje e mbajmë me vete edhe ne që jemi larguar. Çdo familje shqiptare ka një anëtar që është pjesë e diasporës. Çdo familje është e ndarë (ose ka qenë në një moment) për shkak të emigrimit. Ndonjëherë jemi aq të përqendruar te analizat politike, sa harrojmë anën njerëzore të këtyre ngjarjeve”, shpjegon Kume për L’Espresso.
Për efektet reale të protestave, e reja ka ende shpresë:
“Nuk e di çfarë duhet të ndryshojë, sepse tashmë na është marrë shumë, por shpresoj me gjithë zemër që në të ardhmen emigrimi të jetë një zgjedhje e lirë dhe jo një detyrim, që kujdesi të drejtohet te qytetarët dhe jo te turistët dhe betoni. E di vetëm se si popull kemi vuajtur shumë më tepër sesa duhej. Tani ka ardhur koha të ngremë kokën.”/Përktheu Alfapress.al.marrë nga lespresso.it
Po ndodh...
Sulmet ndaj Dumanit dhe heshtja e Berishës për Ilir Shtufin
ide
Koherenca qesharake e opozitës!
Rikthimi i demokracisë, kauza e madhe që zgjidh të tjerat
Paradoksi i Kohës: A i dha Koha të drejtë Yuri Kim-it?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128