Vrau kolegun e tij brenda komisariatit, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin për ish-policin

17 Dhjetor 2025, 11:08 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vrau kolegun e tij brenda komisariatit, Gjykata e Lartë rrëzon

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin për ish policin Ludjan Zaimi, i cili vrau me armë në komisariat kolegun e tij, Çaush Saliasi.

Më 15 shtator 2023 Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor për akuzën “Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit’ dhe e dënoi me 35 vite burg ish-policin Zaimi, ndërsa në vendimin e saj Apeli vendosi të ndryshojë akuzën në ‘vrasje me paramendim”, duke ulur 5 vite dënimin.

Ngjarja e rëndë u shënua më 23 maj 2022, rreth orës 21:30, brenda në ambientet e komisariatit, në zyrën e instruktazhit, pak para se të dy oficerët e Patrullës së Përgjithshme të merrnin turnin. Zaimi, atëherë efektiv i policisë qëlloi 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55-vjeç.

Sipas të dhënave hetimore, ish-efektivi 25-vjeçar Ludjan Zaimi nuk duroi dot talljet e kolegut të tij Çaush Saliasi dhe shkrepi armën 6 herë mbi trupin e tij duke i shkaktuar vdekjen.

Prokuroria saktëson se ndaj tij rëndon akuzat e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, neni 79/b dhe armëmbajtjes pa leje, pasi Policia bëri me dije se i janë gjetur 56 fishekë.

Po ashtu, policia tha ne atë kohe se në shtëpi 25-vjeçarit i janë gjetur antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda mendore.

“Kur ndodhi ngjarja unë kam qenë në pjesën e oborrit të komisariatit. Në ato momente Caush Saliasi ishte te shkallët dhe ishte duke dredhur një cigare. I fola Caushit dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Në këtë çast Ludjan Zaimi doli nga klasa dhe erdhi pas meje dhe unë e pyes si je dhe pse je i mërzitur? Më tha: Nuk kam asgjë, por hapu dhe shtyhu pak pas.

Unë i them pse, por ai ngul këmbë dhe më thotë sërish, shtyhu pas shtyhu. Në atë moment ai nxjerr armën e shërbimit dhe i them çfarë po bën kështu, por ai nuk u kthye dhe u drejtua me armën në dorë drejt Caush Saliasit dhe i thotë këtij të fundit “Tani do të sqarohemi bashkë”.

Menjëherë Caush Saliasi u ngrit në këmbë dhe u fut te klasa qe t’i shmangej, por Ludian Zaimi e qëlloi me armën e shërbimit, edhe pse Caushi ra në tokë, Ludiani e qëlloi sërish dhe herë të tjera”.

 

Po ndodh...