Gjykata e BE rrëzon Komisionin: Mesazhet mes Von der Leyen dhe Bourla duhet të bëhen publike

14 Maj 2025, 19:54 / BOTA ALFA PRESS

Gjykata e BE rrëzon Komisionin: Mesazhet mes Von der Leyen dhe Bourla duhet

Komisioni Evropian humb betejën ligjore me gazetën amerikane “New York Times” në lidhje me çështjen e njohur si “Pfizergate”.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka anuluar vendimin e KE-së, i cili refuzonte t’i jepte qasje gazetës mbi mesazhet telefonike të shkëmbyera mes presidentes Ursula von der Leyen dhe CEO-së së “Pfizer”, Albert Bourla, gjatë pandemisë së COVID-19.

Ky vendim vjen pas ankesës së paraqitur nga gazetarja Matina Stevis, bazuar në legjislacionin e BE-së mbi aksesin publik në dokumentet institucionale.

Ajo kishte kërkuar kopje të mesazheve të dërguara dhe të marra gjatë periudhës janar 2021 – maj 2022, kur u arrit marrëveshja për furnizimin me vaksina nga “Pfizer”.

Gjykata: Komisioni nuk ishte transparent

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se, sipas ligjit të BE-së, të gjitha dokumentet e institucioneve evropiane duhet të jenë të aksesueshme për publikun.

Ajo vlerësoi se përgjigjet e dhëna nga Komisioni se “nuk i zotëronte mesazhet”, nuk bazoheshin në prova të besueshme dhe kishin karakter të pasaktë ose të deformuar sipas interesave.

Gjykata shtoi se, ndryshe nga Komisioni, gazetarja dhe “New York Times” kishin paraqitur elemente të qarta dhe të besueshme që vërtetonin ekzistencën e mesazheve mes Von der Leyen dhe Bourla.

Kjo, sipas trupës gjykuese, përbën bazë të mjaftueshme për tejkalimin e supozimit të mos-ekzistencës së dokumenteve.

Impakt politik për Von der Leyen

Vendimi konsiderohet me impakt të lartë politik, në një kohë kur Ursula von der Leyen është kandidate për një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian.

Çështja “Pfizergate” ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve të BE-së, sidomos në periudha kritike si pandemia.

 

Po ndodh...