Mbi 70 deputetë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Keir Starmer, 4 japin dorëheqjen nga qeveria

11 Maj 2026, 23:15 / BOTA ALFA PRESS
Mbi 70 deputetë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Keir

Situata politike brenda Partisë Laburiste në Britani po përshkallëzohet, pasi dhjetëra deputetë kanë kërkuar largimin e kryeministrit Keir Starmer, ose të paktën vendosjen e një afati për dorëheqjen e tij.

Mbi 70 deputetë të Partisë Laburiste kanë kërkuar dorëheqjen e Keir Starmer, raporton  The Times. Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood është mes disa ministrave të kabinetit që i kanë thënë Starmer-it se duhet të marrë në konsideratë pozicionin e tij.

Ministrat e kabinetit pritet ta përballin Starmer-in në mbledhjen e qeverisë të martën (12 maj(  dhe t’i bëjnë presion që të largohet, pasi më shumë se 70 deputetë laburistë kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Sipas raportimeve, katër deputetë të Laburistëve që shërbenin si ndihmës ministra kanë dhënë dorëheqjen.

Ndërkohë numri i deputetëve që kërkojnë tashmë publikisht që Starmer ose të japë dorëheqjen menjëherë, ose të përcaktojë një afat kohor për largimin e tij rritet orë pas ore.

“Situata po zhvillohet me shpejtësi dhe Keir Starmer ndodhet në një pozitë shumë të brishtë”, shkruan redaktori politik i BBC.

Më herët, Starmer këmbënguli se do t’u provonte “dyshuesve” se e kanë gabim, duke pranuar se qeveria e tij ka bërë gabime, por duke shtuar se “ka marrë vendimet e mëdha politike në mënyrën e duhur”.

Deputetët kanë shprehur pakënaqësi për drejtimin e qeverisë dhe mungesën e besimit publik. Disa prej tyre kërkojnë që Starmer të caktojë një afat të qartë për largimin e tij, duke argumentuar se Partia Laburiste ka nevojë për një lidership të ri për të rikthyer besimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, Sekretari i Strehimit Steve Reed u shpreh se shumica e deputetëve brenda partisë nuk mbështesin dorëheqjen e kryeministrit. Ai tha se rreth “90% nuk duan që kjo të ndodhë” dhe se qeveria duhet të fokusohet te prioritetet e qytetarëve, jo te ndryshimi i lidershipit.

“Ne duam të fokusohemi te ajo që do publiku… jo të flasim me veten për një lider të ri,” tha ai. Ai shtoi se qeveria pranon se nevojiten ndryshime, por nuk ndihmon “të hidhen poshtë” kryeministrat.

Sipas tij, ndryshimet e shpeshta të kryeministrave, siç ndodhi me Partinë Konservatore, nuk janë zgjidhje e qëndrueshme.

Ndërkohë, deputetja Catherine West është tërhequr nga ideja për të nisur një sfidë për lidershipin, por ka kërkuar që Starmer të largohet deri në muajin shtator.

Situata është tensionuar edhe më tej me dorëheqjen e disa ndihmësve parlamentarë të ministrave, përfshirë Joe Morris, Tom Rutland dhe Naushabah Khan, të cilët kanë shprehur mungesë besimi në aftësinë e kryeministrit për të udhëhequr vendin.

Joe Morris, ndihmës i ministrit të Shëndetësisë Wes Streeting, tha se vendi ka nevojë për një qeveri që përmbush premtimet për uljen e kostos së jetesës dhe investime në komunitete. Sipas tij, Starmer nuk gëzon më besimin e publikut për të udhëhequr këto ndryshime.

Këto zhvillime vijnë në një moment të vështirë për qeverinë britanike, ndërsa presioni brenda Partisë Laburiste po rritet dhe debati për të ardhmen e lidershipit po thellohet.

Po ndodh...

ide