
Me dhomë gjumi, 11 tualete dhe 40 televizorë... Brenda “pallatit mbretëror fluturues” që Katari i dhuroi Donald Trump-it

Pavarësisht kritikave dhe kundërshtimeve të brendshme, administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, duket se ka rënë dakord të pranojë një avion privat superluksoz Boeing 747-8, dhuratë nga familja mbretërore e Katarit. Avioni, i cili vlerësohet rreth 400 milionë dollarë, është një “pallat fluturues” me ambiente të stilit mbretëror, dizajnuar nga firma e njohur franceze “Alberto Pinto Cabinet”.
Ky avion privat përfshin një dhomë gjumi kryesore, një dhomë për mysafirë, dy tualete të mëdha me dushe, nëntë tualete më të vogla, pesë kuzhina të vogla dhe një zyrë personale. Dekori përfshin kolltukë të mëdhenj lëkure, më shumë se 40 televizorë (përfshirë 10 ekrane të mëdhenj), si dhe mure me ngjyrë ari që kujtojnë stilin e Trump Tower në Manhattan, shkruan A2 CNN.
Avioni, që më parë përdorej nga një divizion i Qatar Airways për transportimin e familjes mbretërore dhe zyrtarëve shtetërorë, mund të mbajë rreth 90 pasagjerë dhe 14 anëtarë ekuipazhi. Ai ka një autonomi fluturimi prej rreth 12 450 kilometrash dhe një shpejtësi maksimale prej 1062 km/h, duke e bërë më të shpejtë dhe më efikas se Air Force One aktual.
Trump deklaroi në Truth Social se ky avion do të shërbejë si zëvendësim i përkohshëm për Air Force One derisa të përfundojnë avionët e rinj presidencialë që po ndërtohen nga Boeing. Megjithatë, projekti i Boeing ka hasur në vonesa të mëdha dhe tejkalime të mëdha të buxhetit, duke bërë që përfundimi i tij të shtyhet deri në vitin 2027.
Por edhe avioni luksoz nga Katari do të duhet të pësojë një transformim të thellë për të përmbushur kërkesat e sigurisë dhe komunikimit të një avioni presidencial. Kompania amerikane e mbrojtjes L3Harris është përzgjedhur për ta pajisur me teknologji të avancuar për mbrojtje, komunikim satelitor dhe mbrojtje ndaj valëve bërthamore në rast lufte.
Pavarësisht se është prodhuar mbi 10 vjet më parë, ky Boeing 747-8 është një ndër avionët më të shtrenjtë e më të sofistikuar në botë. U rinovua nga kompania zvicerane AMAC Aerospace gjatë një periudhe dyvjeçare, dhe përmban sallone të bollshme, shkallë luksoze që lidhin dy katet, internet, radio live dhe 13 pajisje Blu-ray.
Ky “Air Force One” i ri do të jetë avioni presidencial më i gjatë ndonjëherë, me një gjatësi prej 76,3 metrash. Ai është një kombinim i teknologjisë amerikane dhe luksit arab dhe tani po i rikthehet vendit ku u prodhua: SHBA-së.
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128