Nipi i Raul Castros shfaqet pranë presidentit! Analistët flasin për rol të mundshëm në të ardhmen politike

16 Mars 2026, 14:58 / BOTA ALFA PRESS

Nipi i Raul Castros shfaqet pranë presidentit! Analistët flasin

Raúl Rodríguez Castro, nipi i ish-presidentit kuban Raúl Castro, është shfaqur për herë të parë publikisht në aktivitete zyrtare pranë presidentit të Kubës. Paraqitja e tij vjen në një moment presioni të shtuar nga SHBA-të ndaj Havanës dhe krizë të thellë ekonomike në vend. Analistët po spekulojnë se ai mund të ketë një rol në të ardhmen politike të Kubës.

Nipi i ish-presidentit kuban Raúl Castro, Raúl Rodríguez Castro, është shfaqur publikisht për herë të parë në aktivitete zyrtare pranë presidentit të Kubës Miguel Díaz-Canel, duke nxitur spekulime për një rol të mundshëm në drejtimin e vendit.

Rodríguez Castro mori pjesë në një takim të lartë me drejtues të Partisë Komuniste dhe Këshillit të Ministrave, ndërsa më pas ishte i pranishëm edhe në një konferencë për shtyp ku presidenti kuban foli për krizën ekonomike dhe presionin e vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara.

Shfaqja e tij vjen në një moment kritik për Kubën, e cila po përballet me një nga krizat më të rënda të viteve të fundit. Ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta, spitalet po kufizojnë operacionet, ndërsa mungesat e ushqimit dhe karburantit po thellohen.

Situata është përkeqësuar edhe më shumë pas ndërprerjes së furnizimit me naftë nga Venezuela, një partner i rëndësishëm ekonomik i Havanës.

Rodríguez Castro, i njohur në Kubë me nofkën “Raulito” ka qenë për vite me radhë pjesë e strukturave të sigurisë dhe ka drejtuar mbrojtjen personale të gjyshit të tij.

Analistët thonë se paraqitja e tij në aktivitete publike mund të sinjalizojë një rritje të ndikimit të tij politik, në një moment kur presioni amerikan për reforma dhe ndryshime në Kubë është rritur.

Sipas disa raportimeve në media, ai mund të jetë përfshirë edhe në kontakte jozyrtare me zyrtarë amerikanë për të diskutuar të ardhmen politike të ishullit, megjithëse këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se rritja e profilit publik të Rodriguez Castro mund të jetë një sinjal për një ndryshim brezash në elitën politike kubane, ndërsa vendi përballet me presion të madh ekonomik dhe diplomatik.

Po ndodh...

ide