Reuters: 200 ushtarë rusë stërviten fshehurazi në Kinë për të luftuar në Ukrainë

19 Maj 2026, 20:29 / BOTA ALFA PRESS

Reuters: 200 ushtarë rusë stërviten fshehurazi në Kinë

Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë, një raport i publikuar nga Reuters hedh dritë mbi përfshirjen e fshehtë ushtarake të Pekinit në luftën në Ukrainë. Sipas agjencisë, të paktën 200 ushtarë rusë janë trajnuar në mënyrë sekrete në Kinë dhe më pas janë kthyer për të marrë pjesë në operacionet luftarake në Ukrainë.

Reuters, duke cituar tre shërbime evropiane inteligjence dhe dokumente të siguruara prej tyre, raporton se një marrëveshje ruso-kineze e nënshkruar në Pekin më 2 korrik 2025 parashikonte zhvillimin e seancave të fshehta të trajnimit ushtarak.

Sipas dokumenteve, ushtarët rusë janë trajnuar në objekte ushtarake në Pekin dhe në qytetin lindor të Nanjingut, në fusha që përfshijnë përdorimin e dronëve, luftën elektronike, aviacionin ushtarak dhe këmbësorinë e blinduar. Marrëveshja parashikonte gjithashtu që qindra ushtarë kinezë të trajnoheshin në baza ushtarake në Rusi.

Burimet e inteligjencës thanë se trajnimi i personelit rus në Kinë përbën një zhvillim të ri dhe sinjalizon një përfshirje më të drejtpërdrejtë të Pekinit në konfliktin në Ukrainë, pavarësisht pretendimeve të Kinës për neutralitet.

“Duke trajnuar personelin ushtarak rus në nivele operacionale dhe taktike, i cili më pas merr pjesë në luftën në Ukrainë, Kina është shumë më e përfshirë në konflikt sesa mendohej më parë”, citohet të ketë deklaruar një zyrtar evropian i inteligjencës.

Sipas Reuters, marrëveshja ndalonte çdo mbulim mediatik të vizitave dhe përcaktonte se asnjë palë e tretë nuk duhet të informohej për programin e trajnimit.

Dy nga agjencitë e inteligjencës thanë se ushtria kineze kishte dërguar personel për trajnim në Rusi që prej vitit 2024, por dërgimi i ushtarëve rusë në Kinë për trajnim ishte një praktikë e re.

Një prej agjencive ka konfirmuar identitetin e disa ushtarakëve rusë të trajnuar në Kinë, të cilët më pas janë përfshirë në operacione me dronë në rajonet e Krimesë dhe Zaporizhias në Ukrainë. Sipas raportit, gradat e tyre varionin nga rreshter i ri deri në nënkolonel.

Po ndodh...