Qeveria “jep” bazën e Pashalimanit për biznes, shteti mban minimum 40% të aksioneve, maxhoranca i kalon privatit

Baza e njohur e Pashalimanit do të përdorët për biznes. Këshilli i Ministrave ka miratuar sot kushtet e reja që shoqëria shtetërore “KAYO” të negociojë me kompani private për krijimin e një shoqërie të përbashkët, e cila do të merret me ndërtimin dhe riparimin e mjeteve lundruese ushtarake dhe civile në kantierin e Pashalimanit.
Sipas vendimit të miratuar sot nga Qeveria Rama, kompania “KAYO”, do të hyjë në negociata me një partner privat për ngritjen e një shoqërie aksionare të përbashkët, që do të operojë në territorin e Shqipërisë dhe do të zhvillojë aktivitet në fushën e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve.
Në marrëveshjen e re, shteti do të mbajë të paktën 40% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do t’i takojë partnerit privat. “KAYO” do të kontribuojë me pasuritë në kantierin detar të Pashalimanit.
“Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të ndodhura në kantierin detar të Pashalimanit, pasuri, të cilat do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Vendimi përcakton se pala private duhet të sigurojë transferim teknologjie, ekspertizë, projekte konkrete dhe mbështetje për trajnimet e personelit shqiptar, si dhe të garantojë rrjet për shpërndarjen dhe eksportin e mjeteve lundruese”, thuhet ne VKM.
Ndërkohë, “KAYO” do të ketë rol në drejtimin e kompanisë, duke garantuar të drejtën e vetos për vendime të rëndësishme, si dhe pjesëmarrje në organet drejtuese dhe në përzgjedhjen e administratorëve. Nga ana tjeter, Siguria e infrastrukturës dhe personelit do të garantohet nga Forcat e Armatosura.
VENDIMI FIRMOSUR NGA RAMA
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE, PËR KRIJIMIN E NJË SHOQËRIE TË PËRBASHKËT, ME QËLLIM NDËRTIMIN E RIPARIMIN E MJETEVE MOTORIKE LUNDRUESE USHTARAKE DHE CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të ndodhura në kantierin detar të Pashalimanit, pasuri, të cilat do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht:
a) transferimin e njohurive teknike, si edhe të praktikave operacionale dhe të procedurave të brendshme lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese;
b) ofrimin e projekteve dhe të kontratave për ndërtimin e mjeteve lundruese në kantierin detar të Pashalimanit;
c) vënien në dispozicion të shoqërisë aksionare, që do të krijohet, të burimeve njerëzore dhe mbështetjen teknike e logjistike për ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese në kantierin e Pashalimanit;
ç) ofrimin e trajnimeve të personelit shqiptar lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese;
d) ofrimin e asistencës për përshtatjen e kurrikulave mësimore lidhur me aktivitetin e riparimit e të ndërtimit të mjeteve lundruese për institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë;
dh) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së mjeteve motorike lundruese detare, në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përfshijë ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë, si dhe për përdorim civil.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet, do të zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, minimalisht, 40% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a, në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të dala nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Happening now...
Denouncing Berishism is a prerequisite for denouncing the government
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128