Ngërçi politik në Kosovë, reagon BE: Të formohen sa më shpejt institucionet!

7 Maj 2025, 14:16 / KOSOVA ALFA PRESS

Ngërçi politik në Kosovë, reagon BE: Të formohen sa

Ka dështuar për të 12-tën herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës duke e çuar vendin në një krizë të thellë politike pa zgjidhje.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të sigurojë 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Partitë politike opozitare të deritashme e kundërshtojnë emrin e Albulena Haxhiut, si e propozuar e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit.

Gjithashtu e refuzojnë bashkëpunimin me partinë e Albin Kurtit, kryeministër në detyrë.

Ndërkohë  ka reaguar edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet.

“Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saj për t’i çuar përpara reformat urgjente evropiane,” tha Marta Kos, duke veçuar edhe nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, do të duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri.

Sipas Kos, kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera.

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, duke folur të martën në mbrëmje në një debat në Parlamentin Evropian kushtuar raportit për Kosovën, përsëriti edhe nevojën që Kosova të përmbushë pa vonesa obligimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit në kuadër të dialogut me Serbinë.

Pas ngërçit politik të krijuar në Kosovë edhe tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve mbetet e paqartë se si do të veprohet më tej. 

Sipas Kushtetutës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë që doli në zgjedhje, në këtë rast LVV-së, ndërkaq partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.

Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë votash dhe seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre. Me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, hapet rruga për formimin e qeverisë së re./DW

 

Po ndodh...