"Berisha dhe Rama janë në ortakëri"/ Analisti Ergys Mërtiri: Pa njëri-tjetrin, ata nuk do të ishin dot në politikë!

23 Mars 2026, 23:10 / POLITIKË ALFA PRESS

"Berisha dhe Rama janë në ortakëri"/ Analisti Ergys

Partia Demokratike zhvilloi ditën e djeshme një tjetër protestë kundër qeverisë, e shoqëruar nga përplasje dhe akte dhune, një skenar i përsëritur më herët.

Analisti Ergys Mërtiri tha se me këtë skenar, opozita nuk ka fituar asgjë kundrejt kryeministrit Edi Rama.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, Mërtiri pohoi se ekziston një nivel bashkëpunimi mes Berishës dhe PS-së. Ai shtoi se Rama dhe Berisha, pa njëri-tjetrin, të nuk do të ishin sot në politikë.

Analisti theksoi se fokusi i Berishës nuk është rrëzimi i qeverisë, por ruajtja e monopolit brenda PD-së, duke eleminuar çdo kërcënim të mundshëm për pozicionin e tij.

Partia Demokratike zhvilloi një tjetër protestë kundër qeverisë, të mbushur me akte dhune dhe përplasje, një skenar ky që është parë edhe më herët. Sipas jush, çfarë fitoi dhe çfarë humbi opozita nga tubimi i djeshëm?

Ergys Mërtiri: Opozita nuk ka fituar asgjë kundrejt Edi Ramës, sepse me këto lloj protestash ai nuk rrëzohet. Përkundrazi, kjo prodhon efekt negativ për opozitën, sepse shtyrja e vazhdueshme e datave për rrëzimin e qeverisë nga ana e Berishës thjesht e ekspozon opozitën si të dobët dhe të pafuqishme për të realizuar atë që thotë. Pjesëmarrja e ulët në shesh tregon dobësinë e saj, gjë që i shërben vetëm Edi Ramës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Berisha nuk fiton, ai fiton në luftën e tij të brendshme për të mbajtur kohezionin e partisë, i cili po dëmtohet për shkak të paaftësisë së tij për të prodhuar shpresë te demokratët.

Kishim një deklaratë të ashpër të Ambasadës Gjermane që dënonte aktet e dhunës, ndërsa Berisha nga ana tjetër tha se kryengritja ishte paqësore. Si t’i lexojmë këto qëndrime?

Ergys Mërtiri: Kjo është në kuadër të inkoherencës së thellë që karakterizon lëvizjen e Berishës për shkak të mungesës së racionalitetit. Të thuash “revoltë paqësore” ndërkohë që hedh molotovë është një oksimoron. Megjithatë, unë besoj se kjo nuk është dhunë e mirëfilltë ndaj institucioneve, Berisha kërkon të bëjë “spektaklin e dhunës” dhe jo dhunë të vërtetë. Zjarri krijon idenë e luftës, por në fakt palët nuk janë në luftë me njëri-tjetrin. Përkundrazi, ata janë në ortakëri, pasi bashkë ndajnë institucionet, pushtetin dhe përfitimet ekonomike, si lejet e ndërtimit apo bizneset që lulëzojnë edhe për opozitën në kushtet e asaj që ajo e quan “diktaturë”. Në prapaskenë ata merren vesh shumë mirë dhe mbajnë njëri-tjetrin në pushtet.

Pra, po thoni që në nën rrogoz, ka bashkëpunim me PS-në?

Ergys Mërtiri: Sigurisht që po. Ne e kemi parë këtë te miratimi i ligjeve të përbashkëta, te Kodi Elektoral dhe te Amnistia Penale për të nxjerrë nga burgu të korruptuarit. Po ashtu, Rama e ka mbrojtur Berishën duke i justifikuar mungesat në Parlament gjatë arrestit shtëpiak që të mos i hiqej mandati. Fati politik i të dyve është i përbashkët dhe ata mbajnë njëri-tjetrin në politikë, Rama qëndron në pushtet për shkak të Berishës, dhe Berisha gjen te Rama motivimin për të mbajtur militantët pas vetes përmes urrejtjes. Pa njëri-tjetrin, ata nuk do të ishin dot në politikë.

Berisha i vuri “vizën” Ervin Salianit, duke e nxjerrë praktikisht nga partia. A është ky një sinjal për të tjerët që mendojnë t’i kundërvihen liderit brenda PD-së?

Ergys Mërtiri: Patjetër. Që Berisha të qëndrojë në krye të opozitës, ai duhet të ketë ekskluzivitet mbi të. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai nuk ka punuar për të rrëzuar Ramën, por për të “vrarë” çdo alternativë tjetër opozitare që mund t’i marrë këtë ekskluzivitet. Fuqizimi i Salianit e shqetëson atë sepse mund të kapitalizojë votën antiberishiste brenda të djathtës. Berisha kërkon të shuajë çdo lëvizje që mund të nxjerrë në pah nivelin e vërtetë të njerëzve që janë kundër tij brenda Partisë Demokratike. Ai kërkon të ruajë monopolin mbi opozitën duke eliminuar çdo alternativë që e kërcënon.

Po ndodh...