Drejt fundit të fushatës, Rama: 2021 kishte tjetër atmosferë, opozita nuk e arrin kurrë atë rezultat

6 Maj 2025, 22:00 / POLITIKË ALFA PRESS

Drejt fundit të fushatës, Rama: 2021 kishte tjetër

Pak ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama është i ftuar në emisionin “Repolitix” me Denis Mingën në Report TV përballë analistëve dhe gazetarëve Armand Mero, Arjon Sulo dhe Mentor Kikia.

Rama e përshkroi fushatën si më të qetë, që sipas të cilit, në këtë ndikon edhe fakti që shumica më e madhe e qytetarëve, përtej atyre që do votojnë për PS, mendonë se në fakt socialistët do të fitojnë.

“Unë mund ta konfirmoj që është më e qeta që unë kam parë dhe ndjekur ndonjëherë nga ky pozicion ku jam. Ne nga ana jonë kemi bërë një plan që bazohet tek nevoja për të komunikuar por pa ekzagjeruar në aspektet e dekorit, pjesës jo përmbajtësore por më shumë sipërfaqësore. Për të tjerët nuk di ça të them por besoj se influencon edhe fakti se një shumicë më e madhe sesa shumica që do të na votojë ne mendon që ne do të fitojmë, kështu që edhe motivimi nuk është i madh.”, u shpreh kryeministri.

I pyetur nga moderatori për faktin se ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ndërkombëtarët janë më të heshtur, teksa përmendi ambasadën amerikane, Rama tha se në 2021 ka qenë tjetër atmosferë. Kryesocialisti shprehu bindjen se më 11 Maj, opozita nuk do ta marrë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.

“2021 ka pasur tjetër atmosferë, tjetër tension. Ata ishin të bindur që do të fitonin, të bindur se që ne do të humbisnim. Ishin më të organizuar sesa janë sot. Edhe rezultatin e 2021 nuk e arrijnë më”, u shpreh Rama.

Pyetjes së gazetarit Armand Mero, se fushata është fokusuar vetëm te emri i tij dhe PS, kreu i qeverisë iu përgjigj:

“Në fletën e votimit është subjekti dhe lideri i partisë. Nga ana tjetër, në të gjithë planetin demokratik, vetvetiu fushata qendërzohet te udhëheqësit e alternativat. Nuk është një zgjedhje. Është ndërtuar edhe mbi bazën e leximit të publikut në kuptimin e anketimeve që ne bëjmë edhe me fokusgrupet që bëjmë dhe është arritur në këtë përfundim që duhet të jenë të dy emrat së bashku siç janë në fletën e votimit”.