"SPAK ka bllokuar fondet për tokën në Zvërnec", Edi Rama e konfirmon: Të shohim e kujt është! Kur të zbardhet origjina, merr fund edhe saga e pretendimeve

3 Qershor 2026, 12:55 / POLITIKË ALFA PRESS

"SPAK ka bllokuar fondet për tokën në Zvërnec",

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar publikisht se Prokuroria e Posaçme ka ngrirë fondet për blerjen e tokës në Zvërnec, ku parashikohet të ndërtohet resorti turistik i dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Ai e konsideroi pozitiv këtë fakt, duke theksuar se tani çështja e origjinës së pronës do të mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional përmes SPAK.

"Unë e konsideroj pozitive që SPAK që të mbajë të ngrira fondet, pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor. Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tani çështja e origjinës së pronës do të mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional përmes SPAK", u shpreh kryeministri.

Edi Rama sqaroi se  sido që të jetë vendimi i Prokurorisë së Posaçme, ai do të jetë i padiskutueshëm për origjinën e pronës nga pikëpamja ligjore, duke i çuar paratë tek pronari i vërtetë. Në këtë mënyrë, theksoi ai, do të mbyllet përfundimisht edhe saga e pretendimeve.

"Në të dyja rastet, rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve, do i japë fund çdo pretendimi e spekulimi që nuk është i bazuar në ligj. Nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës, do marrë paratë.

Nëse nuk e ka, ato do t'i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe ato ddo të jepen për cilindo që origjinën e pronës e ka të provuar. Këtu merr fund edhe saga e pretendentëve të pronës, me kurdisjen e duart e të tjerëve nga mbrapa", përmbylli kryeministri Edi Rama.

 

Po ndodh...