Ekskluzive/ Alfapress.al siguron pamjet e depos së Agasit me 3 mln euro verëra të shtrenjta

21 Dhjetor 2025, 23:46 / POLITIKË ALFA PRESS

Ekskluzive/ Alfapress.al siguron pamjet e depos së Agasit me 3 mln euro

Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale, të cilat përllogaritet të kenë një vlerë rreth 3 milionë euro, janë sekuestruar në shtëpinë e biznesmenit Ergys Agasi.

Ai është shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenë dhe, përmes dhunës, i detyronte të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHIT.

Verërat janë konstatuar nga agjentët e BKH-së, të cilët kanë njoftuar prokurorin e çështjes për kryerjen e sekuestrimit. Me urdhër të prokurorit, është vendosur masa e sekuestrimit dhe është njoftuar Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e tyre për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie detyrimesh tatimore. Burime bëjnë me dije se në një moment është tentuar ndërrimi i shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi më herët ishte kryer fotografimi dhe dokumentimi i plotë i tyre nga grupi i hetimit. Më pas ka rezultuar, se djali i xhaxhait të Agasit i cili është shpallur në kërkim e ka lëvizur mallin në një drejtim, ende të paditur.

Alfapress.al ka siguruar videon ekskluzive nga depoja e Ergys Agasit, ku shihen qartë dhjetëra shishe verërash luksoze të sekuestruara nga autoritetet, të ruajtura në kushte të veçanta dhe me vlerë të lartë financiare.

Sipas burimeve, një shishe kushtonte nga 7 deri në 10 mijë euro dhe bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. Koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimit të mëtejshëm për burimin e ligjshëm të pasurisë.

Ndërkohë, për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie arrest me burg, ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv.drejtoreshën e AKSHIT. Të dyja masat janë konfirmuar nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesave për ndryshim mase, ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të manipulimit të tenderave.

Po ndodh...

ide