Shqiptarët bëhen bashkë në Malin e Zi! Bashkohen tre subjekte politike, shpallet zyrtarisht Forumi Shqiptar

30 Maj 2026, 22:04 / POLITIKË ALFA PRESS

Shqiptarët bëhen bashkë në Malin e Zi! Bashkohen tre

Në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, është shpallur zyrtarisht këtë të shtunë  bashkimi i tre subjekteve politike shqiptare në një subjekt të vetëm, Forumi Shqiptar, një lëvizje që u prezantua si nisja e një kapitulli të ri politik për shqiptarët në Mal të Zi.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, së bashku me aleatët e tij politikë, të cilët prezantuan projektin e ri politik dhe objektivat e këtij bashkimi.

Ndërkohë përfaqësuesit e Forumit Shqiptar e kanë cilësuar këtë si një marrëveshje historike, duke theksuar se ua kishin borxh brezave të ardhshëm këtë bashkim politik.

“Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë. Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi.

Megjithatë, kemi parë nevojën që të shkojmë një hap më tej dhe të ndërtojmë një subjekt të vetëm politik, jo vetëm për sot, por edhe për gjeneratat e ardhshme, si një garanci për unitetin shqiptar. Ky është subjekti i vetëm politik shqiptar në Mal të Zi që përfaqëson shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetojnë, pasi ne jemi të pranishëm në disa komuna dhe jemi adresa e parë politike e shqiptarëve.

Përgjegjësia jonë politike dhe vullneti i drejtuesve ishte që të krijonim një subjekt të fortë politik shqiptar për të ardhmen, në mënyrë që shqiptarët në Mal të Zi të përfaqësohen edhe më mirë“, u shpreh Gjeloshaj.

Ndërsa i pyetur nëse politika shqiptare duhet të bashkohet ai u përgjigj: “Absolutisht. Ne si shqiptarë, kudo që jemi, shpesh na vjen ndër mend ajo fjala se nuk jemi unikë dhe nuk jemi të bashkuar. Madje, për fat të keq, kjo është përsëritur shpesh ndër vite. Por ne kemi vendosur të dëshmojmë të kundërtën.

Kemi nisur në Tuz dhe po përcjellim një mesazh për të gjithë shqiptarët: asnjë proces nuk mund të bëhet vetëm. Pa unitet, pa unifikim dhe pa strategji të përbashkët, është shumë më e vështirë të realizohen objektivat.

Kjo vlen edhe për Shqipërinë, sidomos sot në procesin e integrimit europian. Sa më unikë të jemi, aq më i fortë bëhet përfaqësimi ynë dhe aq më të shpejta bëhen proceset që lidhen me të ardhmen europiane të shqiptarëve kudo që jetojnë.”

Po ndodh...

ide