NATO mohon tensionet me Uashingtonin: Nuk ka asnjë dramë në zhvillim

30 Maj 2026, 22:45 / BOTA ALFA PRESS

NATO mohon tensionet me Uashingtonin: Nuk ka asnjë dramë në

Pavarësisht toneve të ashpra të administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj Europës, NATO nuk sheh shenja të një krize në marrëdhëniet transatlantike dhe mbetet e bindur se planet e reja të mbrojtjes do të zbatohen.

Deklarata vjen mes debatit të vazhdueshëm mbi rolin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Aleancë dhe kërkesave të Washington-it që vendet evropiane të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, tha se aleatët evropianë tashmë po reagojnë ndaj kërkesave amerikane dhe po lëvizin drejt objektivave të rinj të Aleancës.

Sipas tij, NATO ka një mekanizëm të qartë planifikimi që do t’u mundësojë vendeve anëtare të rrisin gradualisht kapacitetet ushtarake dhe të arrijnë objektivin e shpenzimeve në nivelin 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kemi një proces planifikimi të mbrojtjes në NATO që na jep kapacitetet për të cilat kemi nevojë dhe ato do të ndërtohen me kalimin e kohës”, deklaroi Cavo Dragone.

Ai minimizoi gjithashtu tensionet politike mes Aleancës dhe Washington-it, duke theksuar se në aspektin ushtarak nuk ka krizë reale.

“Nga pikëpamja ushtarake, nuk ka asnjë dramë në zhvillim”, tha ai.

Komentet e admiralit erdhën pas deklaratave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë forumit të sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapor, ku ai paralajmëroi se vendet evropiane dhe aleatët e NATO-s duhet të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e mbrojtjes.

Në muajt e fundit janë shtuar raportimet se Washingtoni mund të reduktojë praninë e tij ushtarake në Evropë dhe t’u transferojë aleatëve më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.

Sipas revistës gjermane Spiegel, skenarë të tillë po konsiderohen brenda NATO-s si një “pikë kthese”, që mund të detyrojë vendet evropiane të përshpejtojnë forcimin e kapaciteteve të tyre mbrojtëse.

Po ndodh...

ide