Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski ka marrë shtetësinë hungareze prej katër vitesh nga Orban, ekstradimi bëhet i pamundur!

30 Maj 2026, 23:17 / BOTA ALFA PRESS

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski ka marrë

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, ka marrë shtetësinë hungareze që në vitin 2022, katër vjet pasi u arratis në Hungari, një zhvillim që mediat hungareze thonë se e bën pothuajse të pamundur ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.

Lajmi u raportua nga portali investigativ “VSquare”, duke cituar burime në qeverinë hungareze.

Sipas raportit, Gruevskit iu dha shtetësia hungareze për shkak të “interesit të shtetit hungarez” dhe besohet se vazhdon të jetojë në Budapest.

Çështja e qëndrimit të Nikola Gruevskit në Hungari u rikthye në qendër të vëmendjes kohët e fundit, kur kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar, deklaroi se vendi i tij nuk do të bëhej një “strehë për kriminelët”, duke iu referuar ish-ministrit polak të Drejtësisë, ish-zëvendësministrit të Drejtësisë të të njëjtit vend dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, të cilëve u është dhënë azil politik në Hungari nga ish-kryeministri i atij vendi, Viktor Orbán.

Pas deklaratave të mësipërme nga kryeministri i ri hungarez, dy ish-zyrtarët polakë, ekstradimi i të cilëve po kërkohet nga qeveria e Donald Tusk në Poloni, janë larguar nga Hungaria, ndërsa Nikola Gruevski mbetet në Budapest.

“Pozicioni i Gruevskit është dukshëm më i sigurt. Azili politik mund të revokohet, por heqja e shtetësisë është një proces shumë më i vështirë ligjor”, vlerëson ‘Vsquare’.

Nikola Gruevski, 56 vjeç, shërbeu si kryeministër i vendit nga viti 2006 deri në vitin 2016. Në nëntor 2018, ai iku në Hungari, ku iu dha azil politik nga aleati i tij politik Viktor Orbán, për të shmangur vuajtjen e një dënimi me dy vjet burg për një rast korrupsioni që lidhej me kohën e tij në detyrë.

Gruevskit iu dha azil në Hungari me arsyetimin se po përndiqej politikisht nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev. Që atëherë, ai është dënuar në raste të tjera, me dënime totale që tejkalojnë dhjetë vjet burg.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut , Hristijan Mickoski, tha se qeveria në Shkup nuk kishte informacion se Nikola Gruevskit i ishte dhënë shtetësia hungareze.

Ai kishte deklaruar së fundmi se nuk e konsideronte të mundshme kthimin e ish-kryeministrit në vend, duke shtuar, megjithatë, se nëse kjo ndodh, ai do të arrestohej dhe do të dërgohej në burg për të vuajtur dënimet e dhëna ndaj tij.

Në vitin 2019, qeveria e atëhershme Socialdemokrate në Maqedoninë e Veriut kishte kërkuar ekstradimin e Nikola Gruevskit, por gjykata hungareze e kishte refuzuar kërkesën.

Po ndodh...

ide