SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PD kërkesë Kuvendit: Të martën në orën 11.00 të mblidhet Këshilli i Imunitetit

22 Dhjetor 2025, 14:09 / POLITIKË ALFA PRESS

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PD kërkesë Kuvendit: Të

5 anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit kanë kërkuar që të marëtën, ora 11.00, të mblidhet Këshilli për Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Lajmin e ka bërë me dije Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një deklaratë ku shprehet se:

Sot, ne 5 anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i kemi dërguar një kërkesë urgjente Kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Mandateve nesër në orën 11:00, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut, me anë të së cilës kërkohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Edi Rama dje njoftoi se do të vijonte bllokimin e drejtësisë dhe pengimin e saj deri në muajin shkurt, kur Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi një kërkesë të tij për masën e parë ndaluese të marrë nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme ndaj Belinda Ballukut.

Në fakt, kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për zonjën Balluku, ajo akuzohej për dy krime, me një vlerë dëmi prej 2010 milionë euro, dhe dosja e saj ishte kjo.

Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj zonjës Balluku, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosja e saj është kjo, së bashku me provat që Prokuroria i ka sjellë në këtë USB Kuvendit.

Ndaj, thirrja ime sot shkon për Kryetarin e Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë, të mos bëhet vegël e interesave personale apo e frikës që ndjen Edi Rama nga hetimi i plotë, i shpejtë dhe i pa ndikuar i Prokurorisë në rastet korruptive të Belinda Ballukut.

Tashmë i madh e i vogël e dinë që Edi Rama nuk po e pengon drejtësinë për shkak të Belinda Ballukut, por po e pengon drejtësinë për shkak të frikës së tij dhe sepse është i ndërgjegjshëm se urdhëruesi i çdo afere korruptive të kryer nga Belinda Balluku është vetë Edi Rama.”

Në kërkesën e 5 anëtarëve të PD drejtuar Kryetarit të Kuvendit thuhet se:

“Në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne, 1/2 e anëtarëve të Këshillit:
– Duke e konsideruar periudhën më shumë se 3 ditore si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë;
– Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posacme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;
– Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posacme që cështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;
– Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;
Kërkojmë:
1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e martë, datë 23 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit – Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.

Deputetët e PD theksojnë se: “thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6, të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.”.

 

Po ndodh...

ide