Barcelona nuk ndalet më, mposht Villarrealin i shkëputet sërish Realit të Madridit

21 Dhjetor 2025, 18:48 / SPORT ALFA PRESS

Barcelona nuk ndalet më, mposht Villarrealin i shkëputet sërish

Barcelona nuk ndalet më; skuadra katalanase, iu përgjigj suksesit të Realit të Madridit duke mposhtur Villarrealin në transfertë në sfidën e radhës së La Liga me rezultatin 2-0.

Minutat e para janë të komplikuara për skuadrën kampione të Spanjës që rrezikuan të pësonin gol në dy rastë me Pepe dhe Ayoze Perez dhe në të dy rastet vendimtar ishte Kounde me ndërhyrjet e tij. Por në minutën e 10, Santi Comesaña shkakton faull ndaj Raphinas në zonë dhe arbitri akordoi një 11 metërsh që u shndërrua në gol nga vetë braziliani duke i dhënë Barcelonës avantazhin 1-0.

Nëndetësja e Verdhë reagoi dhe shumë shpejt barazoi 1-1 me autogolin e Kounde, por që u anulua për një pozicion jashtë loje të futbollistëve të saj në nisje të aksionit. Në krahun tjetër Barcelona ishte e frikshme në sulm dhe Raphinha goditi tramversën, ndërkohë që iu afruan golit të dytë edhe Ferran Torres, ndërsa Yamal bëri që Villarreal të mbetet me 10 lojtarë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq direkt të Renato Veiga për shkak të një faulli shumë të ashpër, por pjesa e parë u mbyll 1-0.

Fillimi i pjesës së dytë ishte vetëm në një drejtim me Barcelonën që dominoi dhe kërkoi të mbyllë takimin dhe në minutën e 53, katalanasit shënuan edhe golin e dytë me Lamine Yamal. Pas këtij goli gjërat nuk ndryshuan më dhe sfida u mbyll 2-0 për Barcelonën që rikthen diferencën prej 4 pikësh me Realin e Madridit në krye të klasifikimit duke shkuar në 46 pikë dhe 15 fitore në La Liga e 51 gola të shënuar. Ndërsa Villarreal sheh t’i ndërpritet seria e rezultateve pozitive me skuadrën e Marcelinos që zbret në vendin e 4 me 35 pikë duke u parakaluar nga Atletico Madrid, por Nëndetësja e Verdhë ka edhe 2 ndeshje më pak se 3 kryesueset e kampionatit.

 

Po ndodh...

ide