Inzaghi: Humbje shumë e hidhur, por kampionati ynë nuk mbaron në Bologna

21 Prill 2025, 15:22 / SPORT ALFA PRESS

Inzaghi: Humbje shumë e hidhur, por kampionati ynë nuk mbaron në

Goli i Orsolinit në shtesë tronditi Interin, por mbi të gjitha rihapi fuqishëm garën për titullin e Serie A. Tani Napoli është në barazi pikësh me zikaltërit, në krye të klasifikimit, por Simone Inzaghi nuk pranon të flitet për kampionat të kompromentuar.

“Na mungoi kthjelltësia te goli i pësuar. Djemtë ishin të tensionuar, sepse topi del në zonën time teknike dhe rihidhet thuajse në zonën teknike të Bologna. Nuk mund të rihidhet 12 metra më përpara, por ne gjithsesi duhej të mbroheshim më mirë, duke qenë edhe në superioritet numerik në zonë.

Humbëm një ndeshje shumë të rëndësishme, që nuk e meritonim ta humbnim. Kjo dhemb shumë, do ta analizojmë atë që ndodhi kur të jemi më të kthjellët. Kampionati nuk mbaron këtu në Bologna, por sigurisht është një humbje që djeg për mënyrën si erdhi. Do të ecim përpara me shumë besim, – tha tekniku i Interit për DAZN.

– Tani është herët për analiza, kishte tension. Duhej të mbroheshim më mirë dhe të mos lejonim që topi të shkonte tek Orsolini. Nuk kam ç’të kritikoj për 93 minutat e para, por nuk duhet ta përdorim si alibi faktin që rivënia e topit nga vija anësore u krye 12 metra më përpara.

Kemi disa lojtarë të padisponueshëm, dy të ndëshkuarit (Bastoni dhe Mkhitaryan) ishin në rrezik pezullimi dhe nuk do të jenë ndaj Romës. Të mërkurën kemi një gjysmëfinale të rëndësishme ndaj Milanit, fillimisht do ta analizojmë çfarë ndodhi sot. Kampionati nuk mbaron këtu, pa dyshim.

Nga çfarë duhet të rinisemi? Nga paraqitja e sotme, u përballëm me një skuadër në formë, që kishte humbur vetëm një herë në shtëpi ndaj Veronës. Dhamë gjithçka, treguam respekt ndaj Bologna, duke sulmuar kur ishte momenti. Do ta kishim pranuar barazimin, do të kishte qenë rezultati më i drejtë, por ky është futbolli. Do të ecim përpara pa asnjë problem”.

Tani, çdo gjë është rihapur për titullin e Serie A: “Jemi me pikë të barabarta me Napolin, kalendari ka rëndësi relative, sepse çdo ndeshje në Itali të vë përballë kundërshtarësh të organizuar. Nuk do të jetë e lehtë as për ne, as për Napolin. Do të luajmë me shumë besim, duke analizuar çfarë mund të kishim bërë më mirë, pa kërkuar justifikime”.