Manuel Neuer - ‘Rrezja e Diellit’ e Bayernit/ ‘Muri’ 40-vjeçar që i priti gjithçka dyshes Mbappe-Vinicius

8 Prill 2026, 13:03 / SPORT ALFA PRESS
Manuel Neuer - ‘Rrezja e Diellit’ e Bayernit/ ‘Muri’

Një natë për t’u mbajtur mend në ‘Santiago Bernabéu’, aty ku Manuel Neuer tregoi edhe një herë pse konsiderohet një nga më të mëdhenjtë e historisë. Portieri 40-vjeçar ishte protagonisti absolut në fitoren 2-1 të Bayernit të Mynihut ndaj Real Madridit, në çerekfinalet e UEFA Champions League.

Me plot 124 ndeshje me Gjermaninë, Neuer zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke pritur 9 nga 10 goditjet në portë të madrilenëve, të cilët tentuan plot 20 herë gjatë takimit. Një mur i vërtetë përballë sulmit të frikshëm të vendasve.

Pas ndeshjes, veterani gjerman nuk e fshehu kënaqësinë, por mbeti realist: “Mund të kishim fituar edhe 2-0. E dimë sa i rrezikshëm është Real Madridi dhe këtë e pamë edhe sot. Jemi të lumtur për fitoren, por kualifikimi mbetet i hapur”.

Momenti më i komentuar ishte reagimi i tij për golin e shënuar nga Kylian Mbappé në minutën e 71-të, që ngushtoi rezultatin. Me humor, Neuer u shpreh: “Është e turpshme, ishte gabim i portierit”, duke ironizuar veten pas një performance perfekte.

Më serioz në analizë, ai vlerësoi edhe cilësinë e ‘yjeve’ të Realit si Mbappé dhe Vinícius Júnior: “Janë ndër më të mirët në botë, shumë të vështirë për t’u ndalur në duele një kundër një”.

Në rrjetet sociale, performanca e tij u kthye menjëherë në fenomen, me Bayernin që e quajti “rrezja e diellit” dhe tifozët që e ngritën në piedestal si “GOAT”-in e portierëve. Një mbrëmje që konfirmon se edhe në moshën 40-vjeçare, Neuer vazhdon të bëjë diferencën në skenën më të madhe europiane.

Po ndodh...

ide