Vrasjet me pagesë e tonelatat e drogës lënë në burg vëllain e Suel Çelës dhe krahun e djathtë të "Çapjave", rrëzohet kërkesa e Mario Çelës e Sergej Hasanpapajt

30 Maj 2026, 17:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

 

Vrasjet me pagesë e tonelatat e drogës lënë në burg

Tentativat e vëllait të famëkeqit Suel Çela dhe krahut të djathtë të "Çapjave" për të fituar lirinë janë fundosur nga drejtësia shqiptare.

Burime për mediat bëjnë me dije se Gjykata e Lartë ka  rrëzuar kërkesën e Mario Çelës dhe Sergej Hasanpapajt për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj tyre.

Mësohet se vendimi që Çela dhe Hasanpapaj të vijojnë dënimin prapa hekruave është marrë në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.

Kujtojmë se mëngjesin e të premtes së  13 shkurtit të këtij viti, Mario Çela, 37 vjeç u ekstradua nga Belgjika në Shqipëri, me qëllim për tu përballur me drejtësinë shqiptare.

Procedura u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve belge, duke finalizuar kërkesën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mario Çela është vëllai i Marjus Lulaj, i njohur si Suel Çela, kreu i një prej organizatave kriminale më të mëdha që vepronin nga Elbasani me shtrirje në Europë dhe Amerikën Latine.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Gjykata e Posaçme i kishte caktuar më 22 nëntor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Organizata kriminale”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”.

Arrestimi i tij në Belgjikë ishte pjesë e një operacioni më të gjerë të SPAK, ku u lëshuan 21 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të dyshuar të organizatës kriminale, përfshirë ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Gjykatës së Elbasanit.

Po ashtu dhe Sergej Hasanpapaj, i cili akuzohet për vrasjen e Bledar Muçës në janar të vitit 2022, u ekstradua nga Belgjika shkurtin e këtij viti.

Hasanpapaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në kuadër të organizatës kriminale, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai akuzohet për përfshirje në atentatin ndaj Bledar Muçës, i ndodhur në mbrëmjen e 23 janarit 2022 në Aartselaar të Belgjikës. Muça u qëllua gjashtë herë pranë banesës së tij, teksa po kthehej në shtëpi. Trupi i pajetë u gjet nga banorë të zonës, të cilët njoftuan policinë pas të shtënave me armë zjarri. Hetimet e autoriteteve belge dyshuan që në fillim për një vrasje me porosi.

Fillimisht u raportua se viktima ishte shtetas britanik, bazuar në dokumentet që mbante me vete, por më pas u konfirmua se bëhej fjalë për shtetasin shqiptar Bledar Muça. Sipas të dhënave, ai lëvizte shpesh mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës dhe kishte precedentë penalë.

Po ndodh...

ide