U raportua si vdekje natyrale, 59-vjeçari në Durrës humbi jetën pas një sherri, detajet

18 Prill 2026, 13:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

U raportua si vdekje natyrale, 59-vjeçari në Durrës humbi

Policia e Durrësit ka zbardhur rrethanat e vdekjes së një 59-vjeçari, e cila fillimisht u dyshua si pasojë e shkaqeve natyrale, ndërsa pas hetimeve rezultoi se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.

Në pranga është vënë shtetasi G.K., 42 vjeç, i dyshuar për veprën penale “vrasja nga pakujdesia”. Sipas policisë, më 13 prill 2026, në lagjen nr. 18 në Durrës, ai është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe e ka goditur me grushte.

Si pasojë e goditjeve, 59-vjeçari ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.

Fillimisht, rasti u raportua si vdekje natyrale, por pas veprimeve hetimore, u provua se viktima nuk ka humbur jetën nga arresti kardiak.

“Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.

Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Në vijim të veprimeve, shtetasi G.K., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, u ndalua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia””,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Po ndodh...