‘Tim, ti je miku im, të kam trajtuar shumë mirë’, Trump i vendos kufij Apple: Ju toleruam Kinën, por jo Indinë

15 Maj 2025, 18:40 / BOTA ALFA PRESS

‘Tim, ti je miku im, të kam trajtuar shumë mirë’,

Donald Trump zbuloi të enjten se i ka kërkuar Apple të mos spostojë prodhimin e iPhone në Indi, duke rindezur debatin mbi dimensionin gjeopolitik të vendimeve të biznesit të gjigantëve të teknologjisë.

Apple thuhet se po planifikonte të zgjeronte masivisht prodhimin e telefonave për tregun amerikan në Indi, si një zgjidhje për luftën tregtare të vazhdueshme me Kinën.

“Pata një problem të vogël me Tim Cook dje, i thashë: ‘Tim, ti je miku im, të kam trajtuar shumë mirë’”, tha Trump në një konferencë për shtyp në Katar.

“Nuk dua që të ndërtosh në Indi. I thashë Timit: ‘Tim, ne të kemi trajtuar shumë mirë, ne i kemi toleruar të gjitha fabrikat që ke ndërtuar në Kinë për vite me radhë… nuk jemi të interesuar që ti të ndërtosh në Indi, India mund të kujdeset vetë për veten e saj’”, tha Trump.

Në të njëjtën deklaratë, Trump la të kuptohej se administrata e tij po punon për një marrëveshje tregtare me bazë të gjerë me Indinë, e cila do të eliminonte plotësisht tarifat për produktet amerikane.

Një zhvillim i tillë do të përmbyste regjimin aktual, pasi India aktualisht vendos disa nga tarifat më të larta për mallrat amerikane në mbarë botën.

“Nëse marrëveshja arrihet, India nuk do të vendosë tarifa për produktet tona.

Kjo do të ndryshojë gjithçka”, tha Trump, pa dhënë një afat kohor specifik apo detaje të mëtejshme.

Heshtja e Apple dhe reagimi i tregut

Apple nuk iu përgjigj menjëherë komenteve të Trump dhe aksionet e kompanisë ranë me 1% në tregtimin para hapjes së bursës.

Zhvendosja e Apple në Indi ishte parë nga shumë si një veprim strategjik për të zvogëluar varësinë e saj nga Kina, veçanërisht mes tensioneve gjeopolitike dhe rreziqeve në rritje në Azi.

 

Po ndodh...

ide