
Zgjedhja e Papës së ri, nis procesi i konklavës! 133 kardinalë me të drejtë vote futen në Kapelën Sistine

Ka nisur pasditen e sotme konklava në Kapelën Sistine, ku 133 kardinalë votues do të nisin procesin e votimit për të zgjedhur Papën e 267-të të Kishës Katolike Romake.
Para fillimit të votimit, do të dëgjohet fraza e njohur latine “extra omnes”, që do të thotë “të gjithë jashtë”, duke sinjalizuar nisjen e konklavës dhe izolimin e plotë të kardinalëve nga bota e jashtme. Gjatë gjithë procesit, atyre u ndalohet përdorimi i pajisjeve elektronike apo çdo forme tjetër komunikimi.
Në orët e para të mëngjesit, të gjithë kardinalët morën pjesë në meshën e posaçme në Bazilikën e Shën Pjetrit, me titullin “Pro eligendo Romano Pontifice”, për zgjedhjen e Papës së ri.
Sipas informacioneve që kanë dalë ditët e fundit, ndër emrat më të përmendur për fronin papnor është ai i kardinalit italian Pietro Parolin, ish-kryeministër i Vatikanit për 12 vjet dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Papës Françesku. Ai shihet si figurë që mund të ndërthurë prirjet progresiste me përfshirjen e klerikëve më konservatorë në drejtimin e Kishës.
Ndërkohë, me shanse të konsiderueshme për zgjedhje përmenden edhe Patriarku Latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, si dhe kardinali filipinas Luis Tagle. I pari njihet për qasjen e tij të moderuar dhe përvojën në dialogun ndërfetar, ndërsa i dyti është një ndjekës besnik i linjës së Papës Françesku.
Gjithsesi, siç na kujton një shprehje e vjetër italiane, “kush hyn në Sistinë si favorit për Papë, shpesh del si një kardinal i zakonshëm”. Pra, surprizat gjatë konklavës nuk përjashtohen.
Shumë njerëz pyesin sa do të zgjasë procesi i zgjedhjes së Papës së ri. Bazuar në përvojat e kaluara, një parashikim i arsyeshëm do të ishte dy deri në tre ditë. Por, gjithçka varet nga shpejtësia me të cilën arrihen kompromiset e nevojshme brenda trupit elektoral.
Në përbërjen aktuale të kolegjit të kardinalëve, evropianët janë më të shumtë, 53 gjithsej, por janë të ndarë në qëndrime. Aziatikët, ndonëse më të bashkuar, nuk janë më shumë se 23. Ndërsa rreth 20 kardinalë me prirje më konservatore nuk kanë fuqinë për të zgjedhur një Papë vetë, por mund të ndikojnë duke mbështetur një nga favoritët.
Për momentin, mbetet të presim me durim dhe besim, siç thotë edhe vetë Kisha e Romës, se Shpirti i Shenjtë do të ndriçojë kardinalët për të marrë vendimin më të urtë dhe më të dobishëm për Kishën dhe botën mbarë.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128