Kohë të mira për SPAK dhe Gjykatën Speciale

Asnjëra nga partitë kryesore që votuan me konsensus reformën në drejtësi dhjetë vjet me parë nuk ia ka dalë të kalojë testin kritik të mbështetjes së SPAK dhe GJKKO edhe kur hetimi penal do t’ja behte në kupolat respektive.
PS dhe Rama janë mburrur me SPAK kur hetimet kanë patur në fokus kundërshtarët e tyre politikë, Berishën dhe Metën. Apo disa ish ministra socialistë, të cilëve kryeministri u kishte dhënë duart.
Duke qenë vetë subjekt i hetimit për dosjen “Partizani”, Berisha e ka formuar retorikën e rëndë anti-SAPK të PD-së. Sakaq, ai ka thënë ndonjë fjalë të mirë kur SPAK ka marrë në hetim kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ish kryeministren Belina Balluku dhe ndonjë zyrtar tjetër socialist.
Ky raport me institutucionin e hetimit - i mirë kur godet kundërshtarët, i keq kur më godet mua dhe bashkëpunëtorët e mi të ngushtë - ka bërë që SPAK të jetë praktikisht në sulmet e kryqëzuara të dy krahëve politikë. Që ia kanë bërë benë. Veç mos u rëntë në dorë.
Ka qënë e pritshme të ndodhte kështu. Po të mos hetonte korrupsionin në sferat e larta SPAK do të mohonte veten. Në të vërtetë, armiqësia e kastës politike me këtë institucion lidhet parasëgjithash me guximin e tij për të hetuar pa tabu, me normalizimin e hetimit në sferat e larta, gjë që ka shënuar historinë e re të drejtësisë në vendin tonë. Një armiqësi kësisoj është prova më e mirë se institucioni është rrugën e duhur. Pavarësisht nevojës për korrigjime dhe përmirësime për mbajtjen e çdo hetimi në shtratin e një procesi ligjor të rregullt e të drejtë, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.
Askush nuk pret që politikanët në hetim dhe gjykim ta ofrojnë kokën në pjatë të argjendtë. Ata do të bëjnë betejën e tyre. Fjalën e fundit e kanë gjykatat. Në një sistem gjyqësor me katër shkallë (nëse shtojmë këtu Gjykatën e Strasburgut), është pothuajse e pamundur të mos bëhet drejtësi.
Nga ana tjetër askush që ka një kuptim të drejtë për betejën me korrupsionin dhe krimin në Shqipërinë e sotme nuk pret që SPAK dhe GJKKO të kompleksohen apo të tremben nga kërcënimet. Aq më pak të bëjnë gjynahqarin, sikur fatin e tyre e ka në dorë ekzekutivi. Me statusin që u ka dhënë ligji, prokurori apo gjyqtari që ka frikë nga politikanët nuk meriton të punojë në SPAK apo GJKKO.
Por kohët përpara duken të mira për drejtësinë e sulmuar nga elitat e korruptuara. Do të veçoja dy ngjarje apo zhvillime.
Së pari, emërimin nga Presidenti Tramp të ambasadorit të ri të SHBA-ve në Tiranë, gjeneralin Erik Wendt. E ndoqëm me interes të madh paraqitjen e tij para Senatit. Lufta kundër korrupsionit ishte rikthyer në krye të listës së prioriteteve të ambasadorit të ri, ndjekur nga angazhime të tjera konkrete në lidhje me luftën kundër narkotrafiqeve dhe me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjatimin e tyre në një vend aleat dhe epiqedër e politikës së jashtme amerikane në rajon si Shqipëria.
Janë priotete të Presidentit, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera amerikane të zbatimit të ligjit për Shqipërinë. Ato fuqizojnë bashkëpunimin e SHBA-ve me institucionet dhe agjencitë e analoge në Shqipëri. Prokurorët e SPAK kanë arsye të ndihen të inkurajuar jo vetëm për fjalët e mira të ambasadorit për institucionin ku punojnë. Mbi të gjitha për objektivat e përbashkëta.
Publiku shqiptar nga ana tjetër ka arsye të rimbushet me shpresë e besim se korrupsioni dhe krimi do të luftohen më fort.
Simbolikisht dhe jo vetëm simbolikisht Gjenerali-ambasador vjen për të fituar beteja kundër së keqes në vendin e vogël mik të atdheut të tij. Vjen për të mbojtur interesat e sigurisë së SHBA-ve që janë interesat e Shqipërisë gjithashtu kundër kërcënimit të tyre. Do t’ja dëgjojmë krismën, thotë një shprehje e vendit.
Një zhvillim tjetër që shkon në një linjë me të mësipërmen është lista e detyrimeve të reja të Shqipërisë nga BE me rastin e miratimit të marrëveshjes IBAR, si një stacion në det të hapur në rrugën drejt ankorimit të vendit në BE. Detyrimet e të reja të muajit maj janë shumë më të forta se ato të muajit shkurt, para kalimit të pengesës së IBAR. Në draftin e muajit shkurt BE i kishte kërkuar Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Tre muaj me vonë Shqipëria u ka grahur rremave në kahun e përkeqësimit . BE-ja shpreh keqardhje dhe i kërkon Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet në rritje dhe shqetësuese të zyrtarëve publikë ose politikanëve, përfshirë në nivele të larta, për të ushtruar ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë, duke përfshirë Strukturën e Specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.”
Se kush janë këta e zyrtarë publikë dhe politikanë e di çdo lexues. Në krye të listës kesaj radhe është kryeministri Rama. BE i ka në fokus.
Mund të duket paradoksale që ndërsa përkeqëson qëndrimin ndaj SPAK dhe në fusha të tjera të shënuara në dokumentin e detyrimeve të reja, Shqipëria merr notën kaluese të IBAR. Por nuk është kështu. IBAR është një stacion në mes të rrugës. Asnjë vend nuk është ndaluar në këtë stacion. Portat e mëdha janë përpara. E fundit fare hapet me një shtet ligjor normal dhe me një drejtësi funksionale që heton dhe gjykon korrupsionin pa pengesa. Askush nuk duhet të ketë iluzione se porta e madhe hapet me letra dhe propagandë.
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
Zgjedhjet nuk i mbulojnë dot veshët e gomarit
Referendumi - Legjitimiteti i rrejshëm i Sali Berishës
Kohë të mira për SPAK dhe Gjykatën Speciale
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128