Erion Braçe kërkon interpelancë për ujërat e zeza të Tiranës

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar zhvillimin e një interpelance në Kuvend me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, për të raportuar mbi ecurinë e projektit për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve në Tiranën e Madhe – një projekt i financuar përmes një kredie të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) që prej vitit 2008 dhe që synon ndërtimin e sistemit të trajtimit përfundimtar të ujërave të ndotura në kryeqytet.
Kërkesa e depozituar nga Braçe të hënën, më 20 prill, vjen pasi ai ka shfaqur ambicien për të kandiduar për postin e kryebashkiakut të Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Tre dekada pas rënies së komunizmit, Tirana mbetet kryeqyteti i vetëm në Europë që nuk bën asnjë trajtim për rrjetin e vet të ujërave të ndotura, duke rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e banorëve të saj.
Që prej vitit 2008, qeveria shqiptare ka shpenzuar dhjetëra miliona euro për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura në Kashar, të financuar përmes një kredie japoneze. I vendosur në rrëzë të kodrave të Kasharit, impianti synonte të mbulonte një popullsi prej rreth 350 mijë banorësh – me një fazë të dytë të planifikuar për të zgjidhur plotësisht problemin e trajtimit të ujërave të zeza.
Megjithëse kanë kaluar gati dy dekada nga fillimi i projektit, ai nuk është përfunduar.
Projekti u kontraktua fillimisht në vitin 2014 për një vlerë prej rreth 81 milionë eurosh. Kontrata për zbatimin e tij iu dha kompanisë italiane “Construzioni Dondi” dhe asaj japoneze “Kubota Corporation”.
Por në vitin 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi ta ndërpresë kontratën në mënyrë të njëanshme, duke e përcjellë konfliktin në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër. Në momentin e ndërprerjes së kontratës, punimet ishin realizuar në masën 70%, ose në vlerën e rreth 56 milionë eurove.
Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Londër e konsideroi vendimin për ndërprerjen e kontratës nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve si të paligjshëm dhe e penalizoi shtetin shqiptar me një dëmshpërblim prej 13.5 milionë eurosh. /BIRN
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128