Marinela Ziu: Në Korçë, votën nuk e hipotekon dot paaftësia me "tituj" të përkohshëm pushteti!

7 Maj 2025, 19:23 / POLITIKË ALFA PRESS

Marinela Ziu: Në Korçë, votën nuk e hipotekon dot
Binomi i kandidateve të Partisë Socialiste, Vinjola Rota dhe Besa Spaho janë bërë "tutoret" e punonjësve të administratës publike.

Kemi me qindra denoncime dhe ankesa për to, të ardhura pranë shtabit elektoral të Koalicionit Euroatlantik, që na dëshmojnë se këto dy kandidate, mes presionit kërkojnë votën e qytetarëve të lirë dhe të ndershëm që kjo qeveri i ka vjedhur deri në palcë.

U them të dyja kandidateve "larg duart nga administrata publike", në të kundërt do të vendoseni përpara drejtësisë.

▶️ Drejtoresha e arsimit harron se partia e ka vënë në një post që jo vetëm nuk e meriton, por nuk e ka menaxhuar dot si duhet.
Nga ana tjetër, ajo harron se ata që i shikon si "vartës" të saj, ata janë elita e Korçës, sepse arsimtarët janë pjesa më e mirë e këtij Rajoni, fakt që e ka harruar drejtoreshë Vinjolla, e cila me orë e pa orë telefonon dhe dërgon mesazhe tek arsimtarët që do ia japin përgjigjen me REFUZIM në masë më 11 maj, me mohim vote, kandidaturës së saj karikaturë politike.

▶️Ndërsa shoqja Besa Spaho e kadastrave dhe hipotekave, e damkosur prej vitesh për cënimin e pronës, premton poshtë e lart, në fshatra dhe qytete, hipotekim dhe legalizim të pronës, duke patur në krah nënpunës të lartë të administratës civile.
I bëj me dije shoqes Spaho, se institucionet e shtetit nuk janë pronë e saj dhe ajo nuk mund dhe nuk duhet kurrë të premtojë asgjë, sepse është ligji që vendos.

Zonja dhe zotërinj,
Këto janë aktet e fundit të turpshme dhe penale të regjimit në ikje, të pushtetit që për 12 vite i detyruoi shqiptarët të marrin arratinë pakthim.

Asnjë votë për këto kandidate "karikatura" të qeverisjes Rama 1, 2, 3!

Korçare dhe korçarë të mençur, mos u epni ndaj shantazheve të tyre elektorale, sepse asgjënë e madhe që u dhanë në 12 vite, vetëm këtë mund t'ju ofrojnë sërish edhe për 4 vite.

Njerëzve të zhytur në paligjshmëri dhe korrupsion, me urtësi dhe qytetari, mençuri dhe vendosmëri, të diel duhet t'u thoni "Jo". Një JO me bindje dhe vullnet për t'i larguar dhe për t'i çuar në derën e drejtësisë.

Këto kandidate dhe të gjithë të tjerët në lloj kurrsesi nuk mund ta hapin derën e Europës për ju!

11 maji, e diela që vjen, duhet të jetë e dielltë për ne të gjithë.
Të diel dorëzojani kandidaturat e PS drejtësisë dhe SPAK-ut.