REL: Rama e mbron resortin në Zvërnec, mes protestave dhe hetimit të SPAK-ut

1 Qershor 2026, 20:55 / POLITIKË ALFA PRESS

REL: Rama e mbron resortin në Zvërnec, mes protestave dhe hetimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbrojti projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës, pas protestave kundër punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku u lëndua një protestues me shtetësi shqiptare dhe greke, rast që nxiti edhe reagimin e Athinës.

Ndërkohë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, konfirmoi se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin, por nuk dha hollësi se çfarë po hetohet saktësisht.

E pyetur nga media nëse ka një hetim dhe çfarë përfshin ai, zyrtarja për media e SPAK-ut, Ada Heqimi, tha: “Në përgjigje të pyetjes suaj, çështja është në hetim dhe nuk kemi informacion tjetër për të ndarë”.

Banorët e Zvërnecit janë duke protestuar që nga e shtuna kundër punimeve për ndërtimin e resortit në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Ndërkohë, protesta u bart edhe në kryeqytetin Tiranë, ku të hënën disa dhjetëra qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan pranë ndërtesës së Qeverisë duke e kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Teksa Rama, i cili ndodhej në Berat për një takim partiak, e cilësoi si të pakuptimtë protestën, organizatorët paralajmëruan se ajo do të vazhdojë edhe nesër.

Zona ku kanë nisur punimet është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata migratorë, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar për koment kompanisë së Kushnerit lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Rama tha se projekti në Zvërnec, me vlerë prej 4 miliardë eurosh, është një nga investimet që synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit, ndaj, sipas tij, projekti është bërë objekt sulmesh.

Ai tha se interesimi i investitorëve për projektin ka nisur në vitin 2023.

“Ka qenë një interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë ka qenë se Sazani është tokë publike dhe jemi të gatshëm të punojmë me ju, por ajo tokë nuk shitet, shteti shqiptar do të jetë palë, ortak. Për projektin e Zvërnecit u kemi bërë të qartë se duhet ta zgjidhin me pronarët. Ky është fillimi”, tha Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të cilën e drejton.

Ai shtoi se të gjithë e dinë se kush janë palët e interesuara për këtë projekt.

“Bota e mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar atë, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë, ndaj edhe projekti ka pasur interesimin e mediave amerikane dhe evropiane, por me agjendë, jo për të informuar për zhvillimin e Shqipërisë por për të gjetur ‘gjilpëra në kashtë’. Ndaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore, në arkitekturë, inxhinieri, mjedis, aspektin juridik, etj", tha Rama.

Sipas tij, Qeveria shqiptare ka mbrojtur interesin e vendit, duke theksuar se një projekt i vjetër është refuzuar nga autoritetet sepse "kërkuam standarde të larta".

Rama i cilësoi si politike sulmet ndaj projektit. Ai tha se ka duruar çdo sulm për shkak të vizionit që ka për Shqipërinë dhe se, pa këtë vizion, nuk do t’i nevojitej “karrigia e pushtetit”.

Sipas tij, reagimet e shumta të qytetarëve për projektin vijnë si pasojë e “manipulimeve dhe të pavërtetave” rreth investimit.

Rama tha se investitorët kanë angazhuar pesë studio arkitekturore të njohura në botë, si edhe ekspertë të mjedisit.

“Keni parë që kanë ardhur investitorët dhe ajo zonja....[Ivanka Trump] nuk ka ardhur për pushime, por kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë të historisë, gjeodezisë, këtu në Shqipëri të cilët kanë folur për të gjitha aspektet, dhe aty një grup i madh njerëzish ka dëgjuar në mbajtur shënime”, tha Rama, duke iu referuar vajzës së presidentit amerikan, Donald Trump, e cila qëndroi në Shqipëri në janar të këtij viti.

Sipas Ramës, në mars të këtij viti është paraqitur “një projekt tjetër, i rikonceptuar, me një qasje tjetër projektuese dhe zhvillimore, duke shtuar se Këshilli Kombëtar i Territorit, që drejtohet nga kryeministri shqiptar “nuk e ka miratuar ashtu siç e kanë paraqitur, por ka vendosur kushte”.

“Projekti do të zhvillohet vetëm në pronë private të regjistruar në tokë-shtet, laguna nuk preket, dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë, pasi ashtu ishte në dy versionet e paraqitura dhe hoqëm. Për marinën është kërkuar të bëhet më pas një projekt në konsultim me ekspertë, dhe pasi të jetë parë projekti në tërësi. Investitorët amerikanë më thanë se gjithçka do ta bëjnë sipas ligjit”, u shpreh Rama.

Ai tha se do të ketë një brez mbrojtës për të ruajtur peizazhin natyrore, cilësinë e habitatit dhe të ruajë proceset ekologjike të zonës.

Reagimi i Greqisë
Pas protestës të 30 majit në Zvërnec, Greqia kërkoi sqarime nga Shqipëria, pasi një protestues me shtetësi shqiptare dhe greke mbeti i lënduar.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ishte edhe një shtetas grek që u plagos”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Sipas kësaj ministrie, Ambasada greke në Tiranë po bën “ndërhyrjet e nevojshme pranë palës shqiptare”, duke kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe “përcaktimin e përgjegjësive”.

Në reagim, Greqia theksoi nevojën për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të minoritetit kombëtar grek, si edhe rëndësinë e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian.

Rama i ktheu përgjigje pretendimeve të Athinës, duke theksuar se akti i dhunës ishte nga një grup rojesh private jo nga shteti, siç tha se ka ndodhur me shqiptarët në Greqi.

Sjellja e kompanisë së sigurisë, por edhe e Policisë së Vlorës, “ishte e neveritshme”, tha Rama. Megjithatë, ai vlerësoi veprimet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare pas incidentit.

Në përgjigjen e saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë tha se ndien keqardhje për situatën në Zvërnec dhe shtoi se autoritetet e dy vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm në nivele të ndryshme.

Në rrjetet sociale u publikua një video, që tregonte një punonjës të një kompanie private të sigurisë që goditi një protestues, ndërsa dy të tjerë e tërhoqën zvarrë atë për disa metra.

Policia e Vlorës tha se protestuesi kishte hyrë me forcë në zonën ku po kryheshin punimet, por pamjet në rrjetet sociale treguan të kundërtën. Drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit, Skënder Hita urdhëroi pezullimin nga detyra të drejtorit të policisë së Vlorës si dhe nisjen e një hetimi disiplinor për drejtues të tjerë të policisë së këtij rrethi.

Ministria e Jashtme shqiptare tha se është arrestuar punonjësi i shoqërisë së sigurisë, i cili ushtroi dhunë ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht.

Protesta në Zvërnec nxiti reagim të shoqërisë civile dhe aktivistëve në mbrojtje të mjedisit. Ata thonë se punimet po zhvillohen në kundërshtim me interesin publik dhe po dëmtojnë një zonë të mbrojtur. Pasditen e së dielës u mbajt një protestë para drejtorisë së përgjithshme të policisë.

Më pas qytetarët marshuan drejt ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë. Qytetarët kërkuan përgjigje nga institucionet për veprimet e policisë së shtetit dhe punonjësve të shoqërisë së sigurisë. Ata bënë thirrje që të ndalohen ndërtimet në zonat e mbrojtura./REL

 

Po ndodh...

ide