Rama propozoi Manastirliun për Bashkinë e Tiranës, Erion Braçe ia kthen me “fitoret” e tij dhe e sfidon: Jo kandidatë emergjence! Procesi të bëhet sipas statutit

30 Mars 2026, 17:26 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama propozoi Manastirliun për Bashkinë e Tiranës, Erion

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra dy ditë më parë në mbledhjen e socialistëve në Njësinë nr.5 lidhur me mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës, për të cilën u vetëofrua si kandidat.

Pak para nisjes së seancës plenare, Braçe theksoi se procesi për përzgjedhjen e kandidatit duhet të jetë i njëjtë me atë që ndiqet në çdo bashki të vendit, duke respektuar rregullat dhe parimet e përcaktuara nga Partia Socialiste. Ai nënvizoi se gara duhet të jetë e hapur dhe transparente, duke shmangur çdo vendimmarrje të nxituar apo të imponuar nga rrethana të momentit.

“Të bëhet proces siç e parashikon statuti i PS. PS duhet të bëjë proces si në çdo bashki të Shqipërisë”, tha Braçe, teksa më tej duke iu referuar zhvillimeve të mëparshme dhe propozimit të Ogerta Manastirliut nga kryeministri Edi Rama sa i përket drejtimit të “shtëpisë” së kryeqytetit, Braçe tha se emri i saj është propozuar në kushte emergjencë. Ai insistoi se statuti i Partisë Socialiste parashikon qartë mënyrën se si duhet të zhvillohet procesi dhe se ky model duhet të respektohet pa përjashtim.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij deputeti socialist ritheksoi eksperiencën  dhe angazhimin e tij ndër vite, duke shtuar se rezultatet e arritura nga vetë ai përbëjnë një bazë të fortë për çdo detyrë që mund t’i besohet në të ardhme.

“Rezultati im në çdo kohë dhe në çdo territor, vlejnë për punën”, tha Braçe ndër të tjera.

Newsbomb raportoi një ditë më parë se në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste njësia nr.5 të zhvilluar ditën e shtunë, ish-zv kryeministri dhe deputeti socialist, shprehu ambicien për të kandiduar për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

 “Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë”, mësohet të ketë thënë Braçe një ditë më parë.

Po ndodh...

ide