Eliminimi i Shqipërisë së Sylvinhos për Kupën e Botës shënon fundin e një rekordi 92-vjeçar

27 Mars 2026, 18:54 / SPORT ALFA PRESS

Eliminimi i Shqipërisë së Sylvinhos për Kupën e

Shqipëria u mposht me rezultatin 2-1 nga Polania në gjysmëfinalen e “play-off”-it europian, duke humbur përfundimisht mundësinë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026. Humbja nuk shënoi vetëm fundin e ëndrrës kuqezi, por edhe mbylljen e një serie historike në futbollin botëror.

Për herë të parë që nga edicioni i parë i Kupës së Botës në vitin 1930, turneu do të zhvillohet pa asnjë trajner brazilian në stolat e ekipeve pjesëmarrëse. Shqipëria, e drejtuar nga ish-lojtari i Barcelonës, Sylvinho, përfaqësonte shpresën e fundit për të ruajtur këtë traditë. Eliminimi nga polakët, të udhëhequr në fushë nga Robert Lewandowski, vulosi fundin e këtij cikli unik.

Për herë të parë në një turne madhor, kombëtarja braziliane do të drejtohet nga një trajner i huaj, italiani Carlo Ancelotti, duke thyer një traditë të gjatë të drejtimit vendas.

Prania e trajnerëve brazilianë në çdo Kupë Bote nga Kupa e Botës 1930 deri te Botërori 2022 ishte e lidhur ngushtë me vetë pjesëmarrjen konstante të Brazilit. Kombëtarja e Amerikës së Jugut mbetet e vetmja që ka marrë pjesë në të gjitha 22 edicionet e zhvilluara në 92 vite histori.

Në shumë raste, trajnerët brazilianë nuk kanë qenë vetëm në krye të Brazilit, por edhe të përfaqësueseve të tjera. Në vitin 1998, katër teknikë brazilianë ishin pjesë e turneut, përfshirë Mario Zagallo, i cili e çoi Brazilin në finale.

Një situatë e ngjashme u pa edhe në vitin 2006, kur përveç Carlos Alberto Parreira me Brazilin, tre trajnerë të tjerë brazilianë drejtonin ekipe të ndryshme: Luiz Felipe Scolari me Portugalinë, Alexandre Guimaraes me Kosta Rikën dhe Zico me Japoninë.

Me eliminimin e Shqipërisë dhe mungesën e një trajneri brazilian mes ekipeve të kualifikuara, Botërori 2026 në Amerikën e Veriut pritet të shënojë një kthesë simbolike në historinë e futbollit ndërkombëtar.

Po ndodh...

ide