Kali i Saliut, tagjia e Edit
“I pe molotovët? Kam një gajle se mos duke goditë Ramën me hak, po i bëjmë prapë kalin gati Saliut” – më shkruante mbrëmë një lexues në moshën e lume të babait tim.
Në kalendarin politik të Sali Berishës, tensionet dhe konflikti kanë qenë instrumenti kryesor i mbijetesës. Ky vend i ka dhënë gjithçka këto 35 vjet, por kjo shkollë e pështirë e dhunës dhe mashtrimit, nuk ia ka kursyer kurrë as paqen sociale, as jetët njerëzore.
Sot dhuna berishiste ka shpërthyer çuditërisht njëherazi me trokitjen për herë të parë të drejtësisë në nivelet e larta të qeverisjes. Në fakt, asgjë nuk e fsheh dot llumin e përgjimeve, akuzat zyrtare dhe hetimet që rrethojnë “diktatorin”, më mirë se tymi i molotovit në rrugët e Tiranës.
Kjo dhunë e sforcuar, krejtësisht e panevojshme, e shtyn qytetarin e pakënaqur me qeverisjen, korrupsionin, çmimet, drejt një dileme të dhimbshme. Të mbajë në shpinë të keqen që njeh? Apo të hidhet në pasigurinë që sjell flaka e molotovit të mjerë berishist?
Në fakt është zgjedhje brenda të njëjtit rreth që ushqen vetveten.
Ajo që duhet kuptuar mirë është ana e padukshme e hënës në politikën shqiptare. Retorika e gjyleve në ekrane dhe zhurma e molotovit të kontrolluar në rrugë fsheh një simbiozë të qartë interesash.
Ndonëse zyrtarisht në opozitë dhe nën hetim, Berisha mbetet një aksioner kryesor në ekonominë e vendit. Kali i Berishës për të cilin shqetësohet lexuesi i moshuar ushqehet mirë me tagjinë e parasë publike. Mbështetësit thirren në protesta për “përmbysje”, por llogaritë bankare të biznesmenëve që financojnë familjen e Berishës dhe oborrin e ngushtë të PD-së, fryhen çdo ditë nga fonde të firmosura nga qeveria.
Nuk është më sekret që klientët kryesorë të projekteve të mëdha publike, janë të njëjtët emra që kanë qenë në krah të Berishës për dekada.
Berisha merr nga Rama çfarëdo që i nevojitet në rrafshin ekonomik, duke siguruar që “makineria” e tij të jetë gjithmonë e vajisur. Por nuk ka vetëm përfitim nga çdo tender i madh përmes klientelës së tij. Ka edhe ndikim politik sepse njerëzit e tij janë emëruar e vazhdojnë të emërohen në poste kyçe drejtuese, së fundmi ministrore.
Duket paradoksale por Berisha sot ndodhet në pikën më luksoze të karrierës së tij.
Dhe ka zero përgjegjësi. Për çdo dështim, për çdo vjedhje dhe për rrugën e bllokuar të integrimit, fajin e ka “narko-qeveria” e Ramës.
Berisha është pjesë e sistemit, mbase pjesa më e fituar e tij. Ai nuk ka asnjë arsye reale për ta përmbysur atë.
Kjo nuk do të thotë që Sali Berisha nuk do donte të rikthehej në pushtet. Absolutisht po. Shpirti ia di. Dihet që për Berishën, pushteti nuk është thjesht qëllim politik.
Ai e di më mirë se kushdo këtë. Edhe sikur të anashkalonim vijën e kuqe të non gratës, Berisha ka një tavan elektoral të ulët pa asnjë gjasë zgjerimi, pavarësisht bazës besnike (militantët). Për më tepër, përçarja brenda PD, krijimi i forcave të reja e bëjnë matematikën e votave edhe më të vështirë.
Po të ishte ndryshe do mjaftonin zgjedhjet më të afërta që korrupsioni të rrëzohej si kudo në botë.
Rrugëtimi i Berishës drejt pushtetit është i rrethuar nga barrikada që nuk i binden më vullnetit të tij, nga rrethana që ai nuk i dikton dot më. Ndaj sot, berishizmi e gjen veten më komod nën petkun e gogolit dordolec që i shërben jetëgjatësisë së Ramës, sesa nën barrën e një alternative.
As opozita në tërësi nuk lirohet dot prej tij. Pa Berishën ata humbin edhe këto shifra të elektoratit që kanë. Me Berishën nuk zgjerohen kurrë. I njëjti berishizëm që sot për Ramën është oksigjen, për opozitën është një “tumor” me metastaza të plota në kuptimin politik.
Ky është një ekuilibër që ushqen vetveten. Përballë gjendet qytetari i zhveshur nga e drejta e zgjedhjes reale që në 2008-n. Ky qytetar sot është peng i detyrimit për të votuar mes molotovit dhe korrupsionit.
Ka institucione që po ndryshojnë (ngadalë), ka aktorë të rinj, edhe pse ende të dobët, ka hapësira që nuk janë plotësisht të mbyllura. Megjithatë, ende mungon një alternativë e besueshme dhe e organizuar.
Për momentin sistemi funksionon mbi teatrin e polarizimit të fortë dhe krijim-përdorimin e krizës si kapital politik. Dhuna në rrugë dhe korrupsioni në pushtet ushqejnë njëri-tjetrin.
Ky rreth nuk çahet vetë. Por si fillim, duhet kuptuar simbioza dhe duhet analizuar si e tillë./Dita
Po ndodh...
ide
Kush nuk punon për liderin legjendar, punon për PS!
Kali i Saliut, tagjia e Edit
Itali/ Hetime, ligje dhe helme, përplasja e përjetshme mes politikës dhe drejtësisë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128