Kush nuk punon për liderin legjendar, punon për PS!

25 Mars 2026, 19:16 / IDE NGA ARDI STEFA
Kush nuk punon për liderin legjendar, punon për PS!

Në politikën shqiptare aksioma komuniste: "Kush nuk është me mua, është kundër meje", zbatohet me një zell të paparë. 

Përkthimi i kësaj logjike është edhe më i egër: Kush nuk punon për liderin legjendar, automatikisht po punon për Partinë Socialiste.

Ky mekanizëm, kjo mënyrë funksionimi, ky justifikim për çdo dështim, kjo makineri balte janë armë për çdo spastrim.

Nuk nuk ka mendim ndryshe, nuk ka dinjitet individual. Ka vetëm dy kategori: ushtarë dhe tradhtarë.

Dhe tragjikja është se kjo nuk është thjesht retorikë. Është mënyrë jetese politike. Është mënyra si justifikohet mediokriteti, si mbulohet paaftësia dhe si eliminohet çdo zë e individ që nuk rreshtohet si dele.

Në vend të një opozite që mendon, analizon dhe ndërton alternativa, kemi një opozitë që harxhon energjinë duke kontrolluar besnikërinë e anëtarësisë. Kush flet ndryshe, është i dyshimtë. Kush kritikon, është i shitur. Kush nuk rreshtohet pas liderit dhe t'i mbajë uturakun, është armik. Dhe "armiku", sipas kësaj logjike primitive, nuk mund të jetë kurrë demokrat, ai duhet patjetër të jetë i shitur dhe me PS.

Kjo është sot PD: Një fabrikë etiketimesh. Çdo mendim ndryshe është krim. Çdo kritikë është tradhti. Çdo njeri që nuk ul kokën, shpallet armik publik.

Tragjike është kur lideri, i cili duhet të jetë i urtë e më përbashkues është origjina e baltës që hidhet...

Kjo mendësi nuk e dobëson Partinë Socialiste. Përkundrazi, e ushqen, e forcon, e mban në pushtet. 

Pasi një opozitë që merret me gjueti shtrigash brenda familjes së saj, nuk ka kohë të merret seriozisht e ndershmërisht me qeverinë. Një opozitë e tillë nuk ndërton dot projekt politik. Një opozitë që e sheh çdo zë kritik si tradhti, përfundon duke u bërë një grupim i vogël frike, jo shprese.

Cinik është fakti se kjo strategji justifikohet në emër të “luftës kundër pushtetit”. 

Por pushteti nuk rrëzohet nga militantë të bindur verbërisht. Rrëzohet nga mendimi kritik, nga debati i hapur, nga alternativa të besueshme dhe nga një kulturë politike që pranon se nuk je tradhtar vetëm pse nuk duartroket çdo përrallë e paranojë të liderit.

Nuk ke ide? Nuk ke program? Nuk ke besueshmëri? S’ka problem. Shpall armiq brenda shtëpisë politike, shfrytëzo idealizmin, ndonjëherë edhe budallallëkun e ndjekësve të tu dhe bëhu komandant i një ushtrie fantazmë. Sepse është shumë më e lehtë të luftosh kritikët e tu sesa të përballesh me Partinë Socialiste në realitet.

Dhe ndërkohë, pushteti rri rehat. Madje as nuk ka nevojë të lodhet. Sepse ia bën punët më të lehta opozita. Me një përkushtim që do ishte i admirueshëm, po të mos ishte kaq tragjik.

Grotesku? Ata që bërtasin më shumë kundër Partisë Socialiste, janë shpesh kontribuuesit më të mëdhenj të mbijetesës së saj. Jo sepse duan. Por sepse nuk dinë ndryshe.

Një PD që ha vetveten, nuk rrëzon dot askënd. Ca drejtues të opozitës që e kanë hallin te lista e “besnikëve”, nuk është alternativë pushteti.

Dhe kështu, ndodh ajo që ndodh prej vitesh: PS qeveris dhe opozita e ndihmon. Dhe nuk është e vërtetë që kush nuk punon për opozitën, punon për PS.

E vërteta është më e hidhur: Opozita punon (pa dashje, por me efikasitet) për PS, edhe kur mendon se po lufton kundër saj.

Po ndodh...

ide