
Dosja e të penduarit, vrasjet e Vlorës me porosi nga Dubai

Kur emra të rëndësishëm të botës së krimit “bien”, disa të tjerët ngrihet. Vëmendja shkon tek ata që zunë vendin e atyre, që në ndonjë rast janë vrarë e në raste të tjera janë arrestuar.
E me gjithë idenë se pas “zhdukjes” së atyre që njiheshin, aktiviteti kriminal mund të ngadalësohet, në fakt shpesh ndodh që të bëhet më i zgjuar e në ndonjë rast edhe më i egër.
Bota e re e nëndheshme, në dukje më e qetë dhe e decentralizuar, projektohet në atë formë që të mos bjerë kur një njeri bie.
E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe në Vlorë. Një vend që për vite me radhë pati një nivel të lartë kriminaliteti, vitet e fundit duket sikur ka rënë në qetësi.
Ndërsa policia rrëzoi lojtarët më të zhurmshëm e disa të tjerë u vranë, ata më të “qetët” u ngritën.
Në aktivitetin e sotme të drogës, pushteti nuk bërtet, por pëshpërit nga pas dyerve të zyrave, nëpër dhomat e mbledhjeve, përmes kompanive fiktive dhe mesazheve të koduara.
Kanë ikur bosët e drogës që nuk hezitonin të shfaqnin jetën e tyre luksoze. Brezi i ri nuk duan të ekspozohen. Ata nuk duan famë, duan kontroll.
Në Dubai, shumë personazhe të botës së krimit që ende nuk kanë dalë në skenë, shndërrojnë paratë e pista në luks të ligjshëm. E në ndonjë rast, kur interesat prishen, apo konkurrenca në Shqipëri u prish disi reputacionin e fshehtë, nga atje ku ndodhen organizojnë gjithçka. Por duke përdorur lojtarë të tjerë, pa dalë vetë në skenë në asnjë rast. Në dukje janë grupe e organizata kriminale pa emër, flamur apo fytyrë, që përdorin korniza ligjore për të maskuar pasuritë e paligjshme.
Duket se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitit 2023 në Vlorë, kur një personazh që i kishte shpëtuar dy atentateve të mëparshme, arriti t’i shpëtojë dhe një të treti. Ky ishte Inez Hajrulla. Ai ka qenë lidhje shoqërore e Edison Harizaj, i konsideruar si “Il padrino”. Harizaj, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës, u ekzekutua në Durrës në nëntor të vitit 2018. Ai ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvëniet. Veç të tjerave Harizaj kishte një aleancë edhe me grupin e Selenicës, konkretisht me Ferdinand Llanajn. Po ashtu, njihej edhe për miqësinë me Emiljano Shullazin. Edison Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genci Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”. Ndërsa pas vrasjes së tij, duket se ishte Inez Hajrulla, njeriu i tij më i afërt, që do të niste planet për hakmarrje.
Madje dyshohet se është përfshirë edhe në aktivitetin e tij, edhe pasi Harizaj u ekzekutua. Më datë 27 nëntor të vitit 2017, në rrugën “Sulejman Delvina”, në Vlorë, ndodhi edhe atentati i parë ndaj tij. Hajrulla u tentua të eliminohej me eksploziv, që ishte vendosur në makinën “Jeep”, me të cilin ai udhëtonte. Pas shpërthimit, ku ai mbeti i plagosur rëndë, Policia gjeti në makinë edhe një pistoletë që ai e mbante pa leje.
Dy vite pas këtij atentati, ai u kthye sërish në objekt të një atentati, kësaj here më armë zjarri. Ai u qëllua në Maj të vitit 2019, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, teksa ishte ulur në një lokal. Autorët e qëlluan nga një automjet në lëvizje. Hajrulla i shpëtoi edhe këtij atentati, ku u plagos gabimisht një person që po pinte kafe në të njëjtin lokal. Makina e atentatorëve u gjet e djegur më pas në fshatin Babicë e Vogël.
Policia pati dyshime në atë kohë se ngjarja mund të ishte porositur nga Bernard Sinomataj, për shkak të përplasjeve që ata kishin. Por në gusht të vitit 2023, Policia e Vlorës arrestoi Amarildo Nikollin, nga Shkodra, për të cilin pati dyshime se ishte paguar për të qëlluar Inez Hajrullën.
Nikolli u arrestua kur po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë.
Fillimisht çështja ndaj Amarildo Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”. Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria e Vlorës shpalli moskompetencë dhe dosja e tij i kaloi për hetime Prokurorisë së Posaçme.
SPAK nisi hetimet për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Nikolli ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorët e SPAK, duke treguar sipas tij emrat e disa personazheve të botës së Krimit në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Personin që e kishte porositur për të kryer vrasje dhe ata që e kishin ndihmuar. Ndërsa se për llogari të kujt do të kryhej vrasja, ai nuk ka qenë në gjendje ta tregojë. Por pas dëshmisë së tij del në skenë Dubai. Duke se urdhri është dhënë nga atje. Megjithatë as sot nuk dihet emri i këtij personi.
Nga aktet e dërguara për kompetencë nga Prokuroria e Vlorës, ka rezultuar se, në datën 7 gusht të vitit 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji i ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik të kryer ndaj Amarildo Nikollit, nga shërbimet e Fast Albania, i janë gjetur armë pa leje. Konkretisht një pistoletë “Pietro Beretta” me silenciator, e mbushur me 14 fishekë dhe një fishek në fole. Shërbimet e Policisë ushtruan kontroll edhe në banesën që ai kishte me qira, në afërsi të shkollës “1 Maji”, në Vlorë, ku ndër të tjera u gjetën një palë dorashka plastike.
I arrestuari Amarildo Nikolli, i njohur edhe me mbiemrin Xhanej, në atë kohë nuk ka dhënë shpjegime por ka theksuar se do të pyetej në praninë e mbrojtësit të tij ligjor të zgjedhur nga familjarët.
Pas lidhjes së marrëveshjes me Prokurorinë e Posaçme, ai ka pranuar të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka dhënë deklarime të hollësishme, rreth faktit të pasjes së armës me vete duke theksuar se ishte kontraktuar nga shtetasi Leonard Luzi, për të kryer vrasjen e dy personave nga qyteti i Vlorës, me nofkat “Qorri dhe Sakati”, dhe se për këtë ngjarje është ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, të cilët më vonë u identifikuan si të pandehurit Erio Zejno dhe Muharem Koroveshi.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Amarildo Nikolli ka deklaruar se me Leonard Luzin janë njohur në burg në Itali. Sipas tij ky shtetas i ka dhënë porosinë Amarildo Nikollit, për vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, kundrejt pagesës 250 mijë euro për secilin. Pra në total 500 mijë euro. Për kryerjen e këtyre vrasjeve ai do të ndihmohej nga dy të njohurit e porositësit, Leonard Luzi, që më pas u identifikuan si të pandehurit Erio Zejno dhe Muharem Koroveshi. Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë financimi për vrasjen do të kryhej nga një shtetas nga Vlora me qëndrim në Dubai. Ndërsa arsyeja për vrasjen e këtyre shtetasve, ka qënë marrja e kontrollit të lojërave të fatit si dhe për hakmarrje, pasi Leonard Luzit i kishin vrarë kushëririn.
Gjithashtu bashkëpunëtori i drejtësisë jep deklarime të hollësishme si është kontaktuar me Leonar Luzin, i njohur edhe me mbiemrin Zejno, që banonte në Tiranë. Faktin që ishte i martuar, faktin e gjetjes së banesës me qira në Vlorë, vendet që ka studiuar, identifikimin e personave që do të vriste, vendet që ai frekuentonte, për kafe apo për të ngrënë, identifikimin e vendeve ku qëndronin personat që do të vriteshin, automjetet e përdorura nga bashkëpunëtorët, etj.
I pyetur më cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Amarildo Nikolli, sipas procesverbalit të datës 15 janar 2024, ndër të tjera ka deklaruar se:
Kam jetuar në Tiranë, me qira në rrugën “Don Bosko”, në një pallat ku është një lokal zgare. Në këtë banesë kam jetuar së bashku me bashkëshorten time, shtetasen Xhovana Nikolli prej muajit janar deri në maj të vitit 2023, e më pas jam larguar për në Spanjë. Para ardhjes në Shqipëri kam jetuar në Itali, prej vitit 2003 deri në vitin 2022. Aty kam bërë rreth 9 vjet burg për shpërndarje lëndësh narkotike ku kam njohur Leonard Luzin. Për shkak të gjendjes ekonomike, pasi nuk kisha as punë, dhe as mjete të tjera jetese me anë të disa shokëve të mi kam kërkuar të hyj në kontakt me Leonard Luzin.
Ai ka shpjeguar se Leonard Luzin e ka njohur gjatë kohës që ka qenë në burg në Itali, konkretisht në burgun e Dogaia, në Prado, ku dhe Leonardi vuante dënimin për tentativë vrasje. Për shkak të kësaj shoqërie të krijuar në burg, Leonardi i kishte treguar se i kishin vrarë në Shqipëri vëllain dhe nipin dhe që do të merrte hak. Sipas tij, ai ka kontaktuar Leonard Luzin dhe i ka kërkuar ndihmë për punë, por gjithmonë me synimin për shitje lënde narkotike. I ka thënë për këtë lloj aktiviteti pasi kishte dijeni nëpërmjet tij se “Nardi” kishte njohje dhe lidhje në këtë fushë. Por sipas tij, Leonard Luzi i ka propozuar nëse do mund të kryente një punë tjetër me më shumë lekë në Vlorë dhe konkretisht të ndiqte një person dhe ta vriste. Të gjitha gjërat do t’i bënte vetë duke filluar nga ndjekja deri tek vrasja dhe në fund pas realizimit do të largohej me ndihmën e dy personave të tjerë.
Leonardi më kishte thënë se objekt i vrasjes me do të ishin dy persona të njohur me nofkën “Sakati” dhe “Qorri”, të dy banues në Vlorë. Leonard Luzi më ka dhënë një foto të personit me nofkën “Qorri”, e cila ishte një foto e dobët për nga cilësia dhe ishte e marrë nga kamerat e sigurisë së një lokali. Si karakteristikë e personit me nofkën “Qorri “, ai më ka thënë se i kishte sytë si “pingpong” ndërsa për “Sakatin” më ka thënë se e kishte njërën këmbë të këputur. Më tha se arsyeja që kërkonte të bënte këto dy vrasje ishte për biznes dhe për hasmëri. Pra vrasja ndaj këtyre dy shtetasve do të bëhej me pagesë, shumë e cila do të më jepej nga një person që banonte në Dubai dhe për këtë Leonardi do më jepte 250 mijë euro për secilin prej tyre (në total 500 mijë euro).
Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, njëkohësisht personat në fjalë ishin të interesuar të kryheshin këto dy vrasje sepse me eliminimin e tyre donin të kishin në kontroll Vlorën në fushën e basteve, gjobvënieve, etj. Nikolli ka deklaruar se u ra dakord që ai do të kryente vrasjet me ndihmën e lidhjeve të Leonard Luzit dhe se ky i fundit ndër të tjera do të paguante edhe shpenzimet ditore.
Në dëshminë e tij, Amarildo Nikolli ka shjeguar se pasi janë takuar në një lokal në Tiranë, kanë dalë nga lokali kanë marrë një taksi e kanë shkuar tek shtëpia e Leonard Luzi, e cila ishte pranë “Zogut të Zi”.
Kam pritur poshtë pallatit dhe aty erdhi Leonard Luzi, i cili më dha 5000 euro për t’i pasur për shpenzime të ndryshme gjatë kohës që do të qëndroja në Vlorë, me qëllim kryerjen e vrasjes së personave që kishim folur. Më pas kam shkuar në Vlorë, për të kryer krimin e porositur nga Leonardi. Aty kam marrë një shtëpi me qira tek një shtetase me emrin Merita. Ky apartament ndodhej në “Lungo Mare” në një pallat të ri, kati i tretë, afër me shkollën “1 Maji”. Në këtë apartament kam qëndruar me bashkëshorten time Xhovana Nikolli.
Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë për shtëpinë e marrë me qira, është provuar me akte shkresore dhe me pamjet filmike të ambienteve përreth. Sipas thënieve të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Leonard Luzi i kishte thënë se personat që do të vriteshin nga ai, mund t’i gjente në ”Lungo Mare”, tek “7 pallatet”, tek dy lokale dhe tek një bar afër Gjykatës së Rrethit Vlorë. Amarildo Nikolli ka deklaruar se ka shkuar në Vlorë që në muajin qershor 2023, një javë pasi kishte takuar Leonard Luzin, në Tiranë. Ai ka deklaruar gjithashtu se Leonardi, një javë i ka shkuar duke qëndruar në të njëjtën banesë me të dhe një ditë kanë në apartamentin e tij edhe dy persona, të cilët Leonardi thërriste “ Bjondi” dhe “Fshatari”. Këta persona i kishte kontaktur Leonard Luzi, i cili sipas tij i kishte thënë se “Bjondi” ishte kushëriri i tij, ndërsa “Fshatari” ishte shoku i tij. Më pas Nikolli i ka identifikuar personat në fjalë. Ai me nofkën “Bjondi”, sipas tij ishte Erio Zejno, ndërsa për “Fshatarin”, nuk kishte arritur t’ia mësonte emrin, por që nga provat e më vonshme dhe njohja me fotografi, u identifikua si Muharem Koroveshi.
“Fshatari” dhe “Bjondi” më kanë sjellë në shtëpi dy armë, dy pistoleta Beretta, njëra prej tyre me silenciator dhe më kanë thënë se nëse i shihja dy persona që kishim rënë dakord, “Sakatin” dhe “Qorrin”, duhej t’i vrisja. Nëse më bllokohej njëra armë, t’i gjuaja me tjetrën. Nga bisedat e bëra, kuptova se baza ku ishin armët ishte në Vlorë, si dhe ngaqë kur dolën për të marrë armët shkuan dhe erdhën shumë shpejt. Të dy armët shumë shpesh i kam mbajtur në banesën ku jetoja por edhe gjatë daljes në Vlorë.
Ai ka deklaruar se në Vlorë dilte vetë për të gjetur personat që i kishte si objektiv për t’i qëlluar dhe vetëm një herë e ka dërguar me makinë Erio Zejno, bashkë i pandehuri për të cilin çështja është ndarë dhe pezulluar për arsye se nuk është gjetur për t’u njoftuar për procesin ndaj tij. Ai e ka shoqëruar për të mësuar vendet ku mund të rrinin këta persona, se ku mund t’i gjente.
Sipas asaj që ka deklaruar Amarildo Nikolli, ai ka arritur që bazuar në foton e dhënë nga Leonard Luzi, të personit me nofkën “Qorrit” dhe përshkrimet e bëra, brenda një jave arriti t’i gjente të dy personat që ishin objektiv i vrasjes. Fillimisht ai ka gjetur Ervis Matodashajn, më pas edhe Inez Hajrullën.
Nga Leonard Luzi kisha dëgjuar që për ”Sakatin” përmendte emrin “Ini” dhe them se ky person me këtë nofkë e ka emrin Ini. Personin me nofkën “Qorri” kishte një tatuazh në formë kryqi sa e mbaj mend, në pjesën e qafës, në krah të djathtë ndërsa ”Sakati” kishte probleme në ecje. Ata i kam parë shpesh tek një lokal dhe tek bari tek Gjykata e Rrethit Vlorë, por edhe të një lokal, që kishte afër një supermarket, ku rrinin pasdite.
Në dëshminë e tij, bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar se e kanë marrë shpesh në telefon Leonard Luzi, por edhe Erio Zejno dhe Muharem Koroveshi, për ta pyetur nëse i kishte parë personat objekt sulmi. Ndërsa është shprehur se komunikimet me këta persona kanë qenë si me mesazhe, po ashtu dhe me zë. Për komunikim përdornin aplikacionin “Signal” dhe me “bjondin” dhe në “Whatsapp”. Në aparatin e tij celular, Amarildo Nikolli deklaron se Leonardin e ka shkruar me pseudonimin “Daku” dhe “Daku 123”, “Bjondi” është regjistruar në dy emërtime “b” dhe “kusho”, ndërsa “fshatari” është regjistruar po ”fshatari”. Sipas tij, ditën e ngjarjes ai ka dalë me Erio Zejnon dhe Muharem Koroveshin dhe pasi është larguar prej tyre është arrestuar nga Policia.
Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se thëniet e bashkëpunëtorit të drejtësisë gjejnë konfirmim edhe në një sërë provash dhe indicesh të tjera që bëjnë të besueshme ato ku ndër të tjera, por jo vetëm është: Këqyrje e telefonit celular; ekspertimi dhe të dhënat e përftuara nga ky ekspertim; këqyrja e pamjeve filmike të ambienteve të ndryshme; akti i ekspertimit të armës; deklarimet e bashkëshortes së tij; të dhënat e përftuara nga Policia Gjyqësore; këqyrjet e sistemit TIMS; akti i letër porosisë nga jashtë, konkretisht të shtetit italian; përmbajtja e komunikimeve të përftuara nga ekspertimi i telefonit celular, etj.
Thëniet e bashkëpunëtorit të drejtësisë Amarildo Nikolli, sipas Prokurorisë së Posaçme janë përputhur edhe me rezultatet e veprimeve të tjera hetimore si: ekzaminimi i telefonit të sekuestruar Amarildo Nikollit; këqyrja e kamerave të ambienteve në qytetin e Vlorës, një pastiçeri dhe një bar; të hyrjes së pallatit në afërsi të Shkollës së Mesme “Qemal Ataturk”; këqyrja e jashtme e të pandehurit Amarildo Nikolli; veprimet hetimore të paraqitjes për njohje ku i pandehuri ka njohur Muharem Koroveshi; si dhe viktimat e sulmit të planifikuar Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Në lidhje me armën e sekuestruar, e cila iu gjet Amarildo Nikollit në momentin e arrestimit, nga komunikimet e SPAK me Drejtorinë e Interpolit është vënë në dijeni me mesazhin e datës 11 gusht 2023 të zyrës homologe Interpol Shkup / Maqedonia e Veriut, se: Arma e zjarrit “Beretta”, është një nga shumë armët e zjarrit të vjedhura në një dyqan për shitje armësh, më datën 22 nëntor 2017, në Maqedoninë e Veriut.
Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë: mbi lidhje shoqërore, miqësore, familjare, të shtetasve Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, pseudonimet e tyre, nëse disponohen informacione apo të dhëna, se këta shtetas merren me lojëra fati, baste sportive, apo kishin qenë të dyshuar për ndonjë vepër penale.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në përgjigjen për SPAK ka pasqyruar të dhënat se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, kanë lidhje shoqërore të hershme që prej fëmijërisë. Hajrulla, njihet me pseudonimin “Ini i Çones” dhe së fundmi, pas ngjarjes së vitit 2017, ku mbeti i plagosur, njihet edhe me pseudonimin “Sakati”. Ndërsa Ervis Matodashaj, njihet me pseudonimin “Çoke qorri”. Nga të dhënat dhe informacionet e mara në rrugë operative, në periudhën e muajit Mars të vitit 2023, ka rezultuar se këta persona kanë filluar të kryejnë aktivitetin e jashtëligjshëm të organizimit të lojërave të fatit, konkretisht atë të basteve sportive, në qytetin e Vlorës. Ky fakt përputhet me deklarimin e Amarildo Nikollit, që ndër arsyet e vrasjes ishte marrja nën kontroll e lojërave të fatit.
Nga ana tjetër, në mars të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Policisë së Vlorës, kopje të vendimit të pezullimit në lidhje me procedimin penal të vitit 2013 dhe vendimit të pushimit të hetimeve në ngarkim të shtetasve Altin Sejdiraj, Nadir Ferko dhe Ervis Matodashaj, të hetuar për vrasje.
Nga përgjigja e Policisë së Vlorës rezulton se, në datën 22 mars të vitit 2013, rreth orës 21:30, në lagjen “11 Janari”, në Vlorë, persona të pa identifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Erigert Ferik Zejno, 24 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur rëndë në mjetin e tij tip “Ford Focus” dhe më pas ka ndërruar jetë në spital.
Në lidhje me këtë ngjarje, në datën 17 gusht 2013, janë arrestuar Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Por në datën 21 prill 2014, është vendosur pushimi i hetimeve për Ervis Matodashajn e dy të tjerët, për mungesë provash dhe procedimi është pezulluar për zbulim të autorëve në datën 4 dhjetor 2014.
Këto akte që i janë përcjellë SPAK nga Policia e Vlorës konfirmojnë deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë se krimi do të kryhej edhe për hakmarrje, pasi rezulton se shtetasi Erigert Zejno është vrarë dhe gjatë hetimeve njëri nga të dyshuarit ka qenë edhe shtetasi Ervis Mustafa Matodashaj.
Rezulton se Leonard Avdi Luzi, Zejno, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, pasi babai i Leonardit, i cili ka vdekur vite më parë është kushëri me shtetasin Ferik Zejno, babai i viktimës. Ky fakt konfirmohet edhe nga i pandehuri Muharem Koroveshi, i cili ka deklaruar se Leonardi ka të atin e viktimës, djalë xhaxhai.
Nga Prokuroria e Posaçme, në nëntor të vitit 2023 i është kërkuar Zyrës Ndërlidhëse Interforza, informacion nëse Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi, kanë qenë në të njëjtin burg në Itali duke vuajtur dënimin dhe në cilën periudhë kohore. Kjo zyrë, në kthim përgjigje ndër të tjera sqaron se Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi kanë qenë në të njëjtin institucion vuajtje dënimi, atë të Pratos, në periudhën 2015-2018, fakt që përputhet me deklarimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë për njohjen e tij me të pandehurin Leonard Luzi.
Bazuar në deklarimet e Amarildo Nikollit, si edhe provave shkresore, nga ana e Prokurorisë janë identifikuar objektivat e krimit, personat me nofkën ”Qorri” dhe ”Ini” ose “Sakati”, të cilët janë përkatësisht shtetasit: Ervis Matodashaj, 42 vjeç dhe Inez Hajrulla, 33 vjeç. Është kryer veprimi hetimor i paraqitjes për njohje me anë të fotografisë, me personin nën hetim Amarildo Nikolli dhe në të tri rastet e ndërrimit të vendeve të fotografive me secilin prej personave që iu paraqitën për njohje, ka identifikuar të dy personat që i ishte kërkuar të vriste, por edhe të pandehurin tjetër, Muharem Koroveshi.
Sipas asaj që ka deklaruar bashkëpunëtori i drejtësisë, të konfirmuara edhe me prova të tjera, rezulton se financuesi i vrasjeve në Vlorë, jeton në Dubai dhe ka banesë në Shëngjin të Lezhës. Hetimet e deritanishme nuk kanë bërë të mundur ta identifikojnë plotësisht atë dhe për këtë arsye ky procedim është ndarë dhe po vijojnë hetimet për këtë rast.
Nga këqyrjet në sistemin TIMS, ndër të tjera rezulton se Leonard Luzi dhe Erio Zejno janë larguar, i pari në datën 13 gusht 2023, ku më vonë ai u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua gjatë gjykimit dhe i dyti në datën 15 gusht 2023 dhe ende nuk është arritur të zbulohet vendndodhja e tij e të arrestohet. Po kështu edhe Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj gjatë fazës së hetimit figuronin jashtë shtetit.
E pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit të veprës penale, shtetasja Xhovana Nikolli më datën 30 shtator 2023 ka dhënë deklarime që konfirmojnë thëniet e Amarildo Nikollit sa i përket faktit se ajo njeh Leonard Luzin.
Në një rast kam dëgjuar një bisedë të Leonardit me Amarildon kur ishim tek shtëpia në Vlorë. Leonardi i kërkonte Amarildos që të vriste dy persona, të cilët ai i quante “Ini” dhe “Qorri”. Gjatë qëndrimit në Vlorë kam mësuar se Leonardi kishte dhe dy shokë të quajtur njëri me pseudonimin “fshatari” dhe një tjetër që quhej Erio. Erion e mbante më afër dhe duhet ta kishte kushëri ndërsa “fshatarin” e mbante pak më larg. Këta dy persona vinin çdo mëngjes tek shtëpia në Vlorë dhe pinin kafe. E merrnin poshtë tek lokali dhe ngjiteshin sipër tek shtëpia ku isha unë dhe bashkëshorti im. Mbanin armë pistoletë, si Leonardi, ”fshatari” dhe Erio. Këto gjëra i kam dëgjuar nga Erio, “Daku” dhe “fshatari”. “Fshatari” dhe Erio kishte raste që pastronin armët në shtëpinë tonë në Vlorë.
Nga ana tjetër, nga të dhënat e ekstraktuara nga telefoni celular i Amarildo Nikollit, jepen të dhëna të hollësishme për faktet penale që konfirmojnë deklarimet e tij, ku me interes shfaqen: komunikime në aplikacionin Snap Chat tek “Daku Djalli”; komunikime në aplikacion “Signal” me numrin e regjistruar si “b”; thirrje nga numri i regjistruar si “kusho”; thirrje nga numri i regjistruar “dubay”, ku me këtë të fundit më datë 16 korrik 2023, ka komunikuar me numrin e Amarildo Nikollit.
Në gjyqin e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, pala mbrojtëse ka kundërshtuar provat e Prokurorisë, me pretendimin se nuk bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal. Madje, sipas mbrojtjes, thëniet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duhet të jenë në unitet me provat e tjera.
Lidhur me këto pretendime, se vendimi nuk duhet të mbështetet në deklarimet e bashkë të pandehurit, se ato janë kontradiktore, se ky i pandehur nuk ka treguar të vërtetën por ka trilluar, Gjykata ka theksuar në vendim se në vërtetimin e fakteve janë marrë për bazë deklarimet e të pandehurit vetëm kur ato janë konfirmuar me provat e tjera. Lidhur me mënyrën e marrjes së provave dhe autenticitetin e tyre, Gjykata çmon se është shumë e rëndësishme, në kuptim të parashikimeve kushtetuese dhe proceduriale, mënyra se si merren provat. Kushtetuta në nenin 32 të saj, ka sanksionuar se askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të kundërligjshme dhe se mbi bazën e këtij parimi është i ndërtuar i gjithë legjislacioni procedurial mbi mënyrën e marrjes së tyre. Një parim i tillë është i ngritur edhe në nivel konventash ndërkombëtare.
Fillimisht Amarildo Nikolli nuk ka dhënë deklarime të hollësishme, por pas arritjes së marrëveshjes ai ka dhënë deklarime të hollësishme për çdo ngjarje dhe përfshirjen e bashkëpunëtorëve në këtë ngjarje. Deklarimet e të pandehurit Amarildo Nikolli për çdo fakt janë vlerësuar në tërësi me provat e tjera që kanë konfirmuar vërtetësinë e tyre. Gjykata ka krijuar bindjen e brendshme pasi ka shqyrtuar në tërësinë e tyre të gjitha provat pa i dhënë asnjërës vlerë të paracaktuar, duke i vlerësuar faktet të vërtetuara në tërësi nga këto prova. Gjykata nuk e ka bazuar vendimin e saj vetëm në thëniet e bashkëpunëtorit të drejtësisë Amarildo Nikolli, por në tërësi në të gjitha provat të harmonizuara dhe që konfirmojnë thëniet e tij ashtu siç argumentohet në tërësinë e këtij vendimi.
Në vendimin e shpallur nga Gjykata e Posaçme më 10 janar të vitit 2025, Leonard Luzi është dënuar me 11 vjet burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, do të kryejë 7 vjet e 4 muaj burg; Muharem Koroveshi është dënuar me 10 vjet burg, por nga gjykimi i shkurtuar do të kryejë 6 vjet e 8 muaj. Ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë, Amarildo Nikolli është dënuar me 2 vite e 9 muaj burg. Për personin tjetër, të dyshuar si pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, Erio Zejno, është veçuar çështja për shkak se ai ende nuk është gjetur.
Pas një vale të rëndë kriminaliteti, me zhdukje e vrasje mafioze, dy vitet e fundit Vlora kishte rënë në qetësi.
Situata e rendit u duk sikur u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2023, gjatë të cilit u regjistrua vetëm një vrasje, pa çka se disa atentate dështuan. Por 2024-a nisi ndryshe atje. Vrasja e Gëzim Sinomatajt, më 7 janar, duket sikur ndezi fitilin e një dinamiti që në forma të ndryshme shpërtheu gjatë dhjetorit.
Shumë pista u ngritën për atë ngjarje, por dita ditës ranë rrugës duke lënë si kryesore vetëm një prej. Larjen e hesapeve mes grupeve rivale. E duket se vrasja e djalit të Sokol Sinomatajt ishte vetëm ngjarja e radhës, pas 3 të tjerave që kishin të njëjtin motiv, të njëjtët porositës e madje edhe të njëjtën kategori vrasësish.
Të gjitha dyshohet se lidhen me sasi të ndryshme droge të grabitura në Spanjë e Belgjikë. Pra, hesape që prishen jashtë Shqipërisë dhe që lahen këtu.
Atentati ndaj Armando Sulejmanit, ku u vranë kunati dhe shoku i tij, vrasja e Bledar Birçajt, Delon Troqes, tentativa për të vrarë skafistin Romeo Meçaj, por edhe vrasja me snajper e Gëzim Sinomatajt, duket se kanë si emërues të përbashkët lëndët narkotike.
Por pas ekzekutimit me snajper të Gëzim Sinomatajt, u rindez një hakmarrje e re, me protagonistë të vjetër.
Brenda 3 javësh, tri ngjarje kriminale ndodhën në Vlorë e Tiranë, të cilat po hetohen si të lidhura me njëra-tjetrën dhe që duket se kanë të njëjtin motiv. Tashmë, dinamiti i ndezur në fillim të vitit 2024 ka shpërthyer.
Fillimisht, më 8 dhjetor iu vendos eksploziv lokalit “The Bosss”, tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Restoranti ku ishte vendosur tritoli ka qenë në pronësi të Bledar Birçaj, i cili u ekzekutua me breshëri automatiku më 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri”.
Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, më 18 dhjetor, po në Vlorë ndodh një atentat, ku mbeti i plagosur rëndë Kevin Hajrulla, i afërm i Inez Hajrulla dhe pësoi plagë të lehta edhe një person që nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Por krismat e Vlorës u ndjenë edhe në Tiranë 3 ditë më vonë. Një sasi eksplozivi shpërtheu në ballkonin e katit të nëntë të një pallati, ku dyshohet se qëndronte Bernard Sinomataj, xhaxhai i Gëzimit që u vra më 7 janar 2024. Nga ana tjetër, Sinomataj është pjesë e grupit rival të Inez Hajrullait.
Grupi hetimor thotë se të tria këto ngjarje janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë ndodhur si kundërpërgjigje mes grupeve kriminale.
Një tjetër vrasje që ekspozon përplasjen mes grupeve të Vlorës duket se është edhe ekzekutimi i 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, mëngjesin e 27 prillit 2025. Ai u qëllua për vdekje me 4 plumba, pranë banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri”. Policia ende nuk ka arritur të ketë një pistë konkrete për vrasjen e tij. I ndaluar si person i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, është Eris Mehmeti, i cili mesditën e datës 1 maj 2025 u la në burg nga Gjykata e Vlorës, për përkrahje të autorit të krimit dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e Renato Hoxhës. Eris Mehmeti, me origjinë nga Tropoja, jetonte në Tiranë por shpesh herë udhëtonte në Dubai, teksa njihet dhe si mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në maj të vitit 2024 në Athinë. Ndërsa më 17 prill 2025 Brahimit i vranë edhe të atin, Gjovalin Prendin, në Pllanë të Lezhës. Ngjarje që vijon të jetë pa autor.
Por nga ana tjetër, grupi hetimor ka dyshime se Renato Hoxhaj mund të jetë vrarë për hakmarrje, por edhe për t’i mbyllur gojën. Pasi ka dyshime që mund të ketë qenë person, që ka pasur dijeni për disa krime të ndodhura në Vlorë. Policia ka dyshime se Hoxhaj mund te ketë pasur rolin e informatorit dhe për këtë arsye është ekzekutuar. Një ndër ngjarjet që po hetohet si një lidhje e mundshme me vrasjen e Renato Hoxhajt, është edhe ekzekutimi i Gëzim Sinomatajt me snajper, më 7 janar të vitit 2024. Por përveç saj po verifikohet edhe atentati me eksploziv ndaj Bernard Sinomatajt, i ndodhur në Tiranë më 21 dhjetor të vitit 2024. Të dy këto ngjarje, duket se kanë ngritur dyshime të dyfishta për hetuesit në lidhje me rolin e Renato Hoxhës, qoftë si person që mund të ketë pasur informacione për ngjarjen e parë në Vlorë, qoftë nëse ka dhënë informacione për ngjarjen e dytë të Tiranë. Ky dyshim e kthen atë në objektiv të dy grupeve rivale, por pa përcaktuar me saktësi se cilit prej tyre.
Një tjetër detaj që e ka shtyrë grupin hetimor drejt kësaj piste, është edhe fakti se Hoxhaj kohët e fundit kishte filluar të ruhej, i druhej një atentati, kjo edhe për shkak se kishte instaluar disa kamera pranë banesës së tij.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e autorit të vrasjes, para dhe pas realizimit të ngjarjes, por pa arritur të identifikohej, për shkak të maskimit që kishte kryer. Ndërsa është mësuar edhe rruga që ai ka ndjekur me makinë për t’u afruar në vendngjarje e më tej për t’u larguar.
Hetuesit kanë mundur të zbulojnë edhe lëvizjet e vrasësit, i cili rezulton që deri në Ksamil të jetë larguar me të njëjtën makinë. Aty ekzekutori ka zbritur dhe ka ecur në këmbë ndërsa më pas ka përdorur një taksi. Sipas të dhënave të grupit hetimor ka dyshime se autori i vrasjes është larguar në Greqi ilegalisht.
Ndërsa pas arrestimit të Eris Mehmeti, si person që ka dhënë ndihmë në ngjarje, duke pretenduar nga vetë ai se i ka dhënë makinën një miku, e cila më tej me targa të ndryshuar është përdorur në ngjarje, i është sekuestruar edhe telefoni. Përmes tij por edhe shumë provave të tjera, është arritur në përfundimin se urdhri për vrasjen e Renato Hoxhajt është dhënë nga Dubai. Nuk ka ende të dhëna se kush është ky person, megjithatë grupi hetimor duket se është drejt identifikimit të tij.
Pra, një tjetër krim me porosi nga Emiratet e Bashkuara Arabe del në skenë në Vlorë. I pari i dështuar, ndërsa i dyti i realizuar.
Ato vite pa vrasje në Vlorë, tashmë duket se ishin vetëm qetësia para stuhisë së madhe.
Atje vërtetë “ranë” shumë emra të rëndësishëm të krimit. Disa u vranë, disa të tjerë u zhduken dhe ende nuk dihet fati i tyre. Të tjerë u arrestuan dhe sot kanë fituar lirinë. Por ata të rinjtë që i zëvendësuan dhe që vazhduan aktivitetin jashtë vëmendjes së Policisë e drejtësisë, tashmë janë ngritur dhe fuqizuar.
Në dosjen e të penduarit dalin në skenë dy motive kryesore të atentateve në Vlorë. Dominimi i qytetit, për të vënë nën kontroll lojërat e paligjshme të fatit dhe hakmarrja. Por ata që sot duan të kenë nën kontroll Vlorën, mesa duket jetojnë në Dubai. Aty ku kanë gjetur strehë shumë emra të tjerë të botës së krimit.
Bosët e rinj të krimit, sot nuk duan tituj, por duan jetëgjatësi.
Ata kanë mësuar se fuqia e vërtetë nuk vjen nga futja e frikës përmes dhunës, por nga kthimi i tyre në të paprekshëm përmes ndikimit që kanë.

E djathta mes pasqyrës së Berishës dhe Bashës!
ide


Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Nuk mund të serviret më si premtim, ajo ç’ka përbën detyrim
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128