Në shërbim të fëmijëve për 20 vite me radhë, mjeku pediatër i QSUT-së ndërron jetë nga infarkti teksa ishte në krye të detyrës

15 Maj 2025, 20:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Në shërbim të fëmijëve për 20 vite me radhë,

Një lajm i hidhur vjen nga QSUT-ja, ku mjeku i njohur pediatër Bashkim Nezaj është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme, teksa ishte në krye të detyrës, duke i shërbyer fëmijëve në Spitalin Pediatrik të Fëmijëve në Tiranë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, gjatë turnit të natës. Miqtë dhe kolegët kanë shprehur dhimbjen dhe keqardhjen për ndarjen e mjekut që njihej për qetësinë dhe përkushtimin në shërbim të të vegjëlve.

Sipas njoftimit nga QSUT dhe postimeve të miqve në rrjete sociale, mjeku tropojan humbi jetën si pasojë e një infarkti.

Ai ishte në shërbimin e mjekut të rojës kur u nda nga jeta, duke dhënë frymën e fundit në vendin e punës.

Shuarja e mjekut Nezaj ka tronditur jo vetëm familjen dhe miqtë, por edhe gjithë komunitetin mjekësor, veçanërisht kolegët e tij në QSUT, ku për vite me radhë ai shërbeu me përkushtim të plotë ndaj fëmijëve të sëmurë.

Reagimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Bashkim Nezaj. Një profesionist i përkushtuar, një njeri i qetë dhe i dashur, një mjek që ia kushtoi jetën dhe zemrën shërbimit ndaj fëmijëve. Për më shumë se 20 vite, Dr. Bashkimi ka qenë pranë çdo vogëlushi që ka kaluar pragun e Pediatrisë, duke u bërë shembull i humanizmit dhe profesionalizmit të rrallë.

Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, kolegët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin e të punonin me të.

Prehu në paqe, doktor Bashkimi. Kontributi yt nuk do të harrohet kurrë”.

Po ndodh...