Pse burgjet në Europë po mbushen më shpejt se kurrë?

2 Qershor 2026, 22:02 / BOTA ALFA PRESS

Pse burgjet në Europë po mbushen më shpejt se kurrë?

Bilal e njeh mirë jetën pas hekurave. Gjatë 10 viteve të fundit, 34-vjeçari ka vuajtur dënimin në pesë burgje të ndryshme në Belgjikë. Kujtimet më të forta i ka nga burgu i Monsit, një institucion i shekullit XIX pranë kufirit me Francën, ku në qeli prej vetëm 9 metrash katrorë, sipas tij, mbaheshin nga tre deri në katër të burgosur.

Ai kujton përhapjen e sëmundjeve si zgjeba, morrat dhe lia e majmunëve, si dhe rojet e rraskapitura nga puna e rëndë.

“Gjatë 10 viteve në burg, gjërat vetëm janë përkeqësuar”, thotë Bilal për Al Jazeera, duke kërkuar që të përdoret vetëm emri i tij. “Na kanë hequr edhe kohën e daljes nga qelitë, si dhe aktivitete të ndryshme.”

“Mbipopullimi gjithnjë e në rritje dhe mungesa e stafit e bën situatën shumë, shumë të vështirë”, paralajmëron Pieter Houbey, nënkryetar i Këshillit Qendror të Mbikëqyrjes së Burgjeve (CCSP), një organ i pavarur. “Sistemi është bërë pothuajse i pamundur për të garantuar një trajtim që synon rehabilitimin e të dënuarve”, shton ai.

Sipas të dhënave të majit, 754 të burgosur flinin mbi dyshekë të vendosur në tokë, nga 672 që ishin në dhjetor.

Në të gjithë Europën, popullsia e burgjeve është rritur ndjeshëm pas pandemisë së COVID-19, duke prekur rreth një të tretën e administratave penitenciare. Normat më të larta të mbipopullimit raportohen në Qipro, e ndjekur nga Sllovenia, Franca, Kroacia, Italia, Rumania, Austria dhe Belgjika.

Si pasojë, qeveritë po përballen me presion në rritje, ndërsa ekspertët dhe punonjësit e sistemit kritikojnë zgjidhjet e zakonshme, si ndërtimi i burgjeve të reja apo transferimi i të dënuarve jashtë vendit duke i konsideruar joefektive.

“Për të garantuar kushte dinjitoze, duhet së pari të respektohen të drejtat e tyre, pra të mos trajtohen si minj në kafaz”, thotë Yasin Sarikaya, nënkryetar i burgjeve të Brukselit.

Të burgosurit, veçanërisht ata në paraburgim, shpesh qëndrojnë 22 deri në 23 orë në ditë të mbyllur në qeli, gjë që thellon mungesën e privatësisë dhe përkeqëson problemet shëndetësore apo varësitë e mundshme. Kujdesi mjekësor shpesh vonohet me muaj të tërë.

Loic, 23 vjeç, që po vuan një dënim 7-vjeçar në burgun e Saint-Gilles në Bruksel, një institucion që pritet të mbyllet deri në vitin 2028, thotë se mundësitë për punë apo aktivitete janë shumë të kufizuara. Shumë të burgosur, sipas tij, nuk kanë leje qëndrimi. “Do të jetë shumë e vështirë të rikthehem në tregun e punës”, thotë ai. Bilal, i dënuar për dy grabitje bankash dhe një tentativë vrasjeje, tregon se ka kaluar periudha me mendime vetëvrasëse gjatë burgimit.

Në vitet e fundit, në rrjete sociale janë shfaqur video që tregojnë dronë që futin sende kontrabandë në burgje. Në vitin 2024 u bë virale një video ku një i burgosur dhunohej nga pesë të tjerë në qeli, ndërsa rojet ishin në grevë 48-orëshe dhe nuk ndërhynin.

Mungesa e stafit dhe lodhja e rojeve

Këto kushte e përkeqësojnë edhe më shumë mungesën e personelit.

Në burgun Haren, kompleksi më i madh në vend, disa roje janë të plagosur dhe nuk mund të kthehen në punë, thotë Sarikaya, i cili punon aty.

Sipas drejtorisë së përgjithshme të burgjeve, incidentet serioze në burgje janë dyfishuar brenda një viti.

Ndërsa nivelet e kriminalitetit kanë luhatje, ekspertët e lidhin situatën me politikat penale të Belgjikës dhe ashpërsimin e luftës kundër krimit të drogës. Një faktor kyç është vendimi i vitit 2023 për të ekzekutuar të gjitha dënimet deri në 3 vjet burg, që më parë shpesh zëvendësoheshin me mbikëqyrje elektronike.

Po ashtu, koha mesatare e burgimit është rritur në 9.9 muaj, një rritje prej gati 40% në pesë vite. Edhe paraburgimi përbën 32% të të burgosurve, shumë më lart se mesatarja europiane prej 24.7%.

Në korrik të vitit të kaluar, parlamenti belg miratoi një ligj emergjent. Ai parashikon përdorimin më të gjerë të dënimeve alternative për dënimet nën 3 vjet dhe lejon drejtuesit e burgjeve të lirojnë të burgosurit deri në 6 muaj para përfundimit të dënimit, për dënime deri në 10 vjet.

Në plan afatgjatë, qeveria synon vendosjen e njësive modulare dhe rinovimin e burgjeve ekzistuese, ndërsa ndërton institucione të reja.

Por, sipas profesoreshës An-Sofie Vanhouche nga Universiteti i Brukselit, këto masa nuk do ta zgjidhin problemin. “Studimet tregojnë se sa më shumë hapësira burgu të kemi, aq më shumë njerëz dërgojmë në burg”, thotë ajo.

Në kuadër të politikave më të ashpra të emigracionit, Belgjika po shqyrton edhe dëbimin e të burgosurve pa leje qëndrimi, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së burgjeve.

Këtë vit, ministrja e Drejtësisë vizitoi Estoninë për të diskutuar marrjen me qira të qelive atje. Po ashtu, janë shqyrtuar marrëveshje të ngjashme me Kosovën dhe Shqipërinë. Belgjika nuk është e vetme në këtë drejtim. Suedia ka arritur një marrëveshje me Estoninë për 400 qeli me qira, ndërsa Danimarka më herët ka marrë 300 qeli në Kosovë.

Sipas profesoreshës Vanhouche, këto janë masa “kryesisht simbolike dhe populiste”. Ajo thotë se ndikimi i tyre është i vogël, ndërsa ngre pyetje serioze mbi të drejtat dhe dinjitetin e të burgosurve.

Ministritë e drejtësisë në Belgjikë, Suedi dhe Danimarkë nuk kanë dhënë koment, ndërsa Estonia thekson se të burgosurit mbeten të mbrojtur nga standardet evropiane të të drejtave të njeriut.

Kritikët kërkojnë që Belgjika të kalojë nga politika ndëshkuese drejt rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri. “Burgjet rrisin përsëritjen e krimit”, paralajmëron Tahar Elhamdaoui, themelues i organizatës “Collectif Desistance”, që ndihmon ish-të burgosurit të riintegrohen.

Sipas tij, niveli i rikthimit në krim në Belgjikë arrin 60-70%.

Falë ndihmës së kësaj organizate, Bilal po bën praktikë si trajner futbolli, ndërsa Loic po provon punë të ndryshme gjatë lejeve ditore. Por kjo, thotë Elhamdaoui, nuk është rregull.

“Derisa burgjet të mos përgatisin njerëzit për jetën jashtë tyre, ne nuk do të ndalojmë së prodhuari më shumë krim dhe më shumë dëshpërim pas lirimit”, thotë ai. (Al Jazeera)

Po ndodh...

ide