Shoferët merrnin 2% të lekëve, SPAK zbardh rrugët e transferimit të parave të kokainës në Shqipëri

8 Gusht 2025, 20:27 / AKTUALITET ALFA PRESS
Shoferët merrnin 2% të lekëve, SPAK zbardh rrugët e

SPAK ka zbardhur dy rrugët që përdorte grupi i organizuar kriminal i trafikut të kokainës nga Amerika Latinë në vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës, grupi i drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Gergely alias Franc Çopja kalimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës e realizonin përmes një skeme të mirëorganizuar dhe shumë të sofistikuar, që kishte për qëllim shmangien e gjurmimit financiar dhe fshehjen e origjinës së tyre kriminale.

Dy ishin metodat kryesore të përdorura: transporti fizik i parave “cash” dhe sistemi informal i transfertave të njohur si “hawala”.

Paratë transportoheshin kryesisht nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, në mënyrë të fshehtë, përmes rrjeteve të shoferëve të besuar të linjave ndërkombëtare të pasagjerëve. Kjo i ndihmonte të shmangnin sistemet bankare dhe kontrollet doganore.

Në të njëjtën kohë, rrjeti përdorte metoda alternative transferimi pa gjurmë bankare, duke i kanalizuar fondet edhe drejt vendeve si Bolivia, që ofronin kushte të favorshme për pastrimin e parave.

Ky kombinim teknikash i garantonte organizatës kriminale një qarkullim të vazhdueshëm dhe të sigurt të qindra milionë eurove nga aktiviteti i trafikut të drogës.

Qarkullimi dhe menaxhimi i parave:

Hetimi ka treguar se ky grup kishte ngritur një mekanizëm financiar jashtëzakonisht të sofistikuar për të qarkulluar dhe fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo mënyrë kishte disa përparësi për grupin:

Evitimi i gjurmimit bankardhe i detyrimit ligjor për deklarimin e burimit të fondeve;
Shmangia e kontrolleve doganore zyrtare, duke përdorur rrugë të shkurtra dhe pikat kufitare më pak të monitoruara;
Siguria përmes rrjetit të besuar të shoferëve, numri i të cilëve ishte i kufizuar dhe i përzgjedhur në bazë të një marrëdhënieje të ndërtuar mbi besimin reciprok.
Shoferët, në këmbim të shërbimit dhe rrezikut të marrë përsipër, përfitonin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit dhe garantoheshin nga personat përgjegjës për menaxhimin e logjistikës financiare.

Figura kyçe si  Ervis Çela dhe Franc Çopja si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, luanin rol aktiv në organizimin e këtyre transfertave. Pagesat dhe kompensimet e brendshme shpesh maskoheshin përmes transaksioneve të tjera të fshehta, të dizajnuara për të mos lënë gjurmë në sistemin financiar zyrtar.

Përveç transportit fizik, rrjeti përdorte edhe sistemin informal të transfertave të njohur si “haëala” ose “token”, ku shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa asnjë evidencë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, e cila, për shkak të nivelit të ulët të kontrollit financiar dhe pozicionit të saj strategjik, shërbente si nyje kyçe për përfundimin e transaksioneve ndërkombëtare të parave.

Kombinimi i këtyre metodave, transporti fizik me shoferë të besuar dhe sistemi i transfertave informale, i mundësonte kësaj organizate kriminale qarkullimin e qindra milionë Euro cash, duke reduktuar ndjeshëm riskun e sekuestrimit dhe duke siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të tij në shkallë ndërkombëtare.

Po ndodh...