U arrestua pasi vrau gruan me thikë në sy të fëmijëve! Nga droga te pjesëmarrja në organizatë kriminale, dosjet e Pandeli Nakolecit

23 Gusht 2025, 16:42 / AKTUALITET ALFA PRESS

U arrestua pasi vrau gruan me thikë në sy të fëmijëve!

Pandeli Nakoleci, që vrau gruan e tij në Volos të Greqisë, u vu në pranga më datë 23 gusht (sot) nga autoritetet greke.

Ai u kap në rrugën ‘Pagason’, afër qendrës së qytetit, 200 metra larg vendit ku ndodhi edhe krimi i rëndë. Policia Helene bën me dije se Nakoleci ishte fshehur në një parkim aty pranë, derisa u kap.

Nakoleci, me disa dosje kriminale dhe probleme me shëndetin mendor

Autoritetet në Greqi shprehen se autori i vrasjes së gruas së tij me thikë ka probleme kriminale nga e kaluara e tij. Dosjet e Nakolecit nisin që në vitin 2013.

Më 2013, është arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe hyrje e paligjshme në shtetin grek.

Më 2018, dënuar me një vit burg për deklarata të rreme. Më 2019 është arrestuar dy herë për posedim droge. Më 2020 është dënuar me 4.5 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Në muajin qershor të këtij viti, me urdhër të prokurorisë, Nakoleci u dërgua për trajtim në repartin psikiatrik të Spitalit të Volosit, pasi kishte bërë një përpjekje për vetëvrasje. Pas vlerësimit nga mjekët, u konstatua se ai kishte nevojë për trajtim të detyrueshëm dhe për këtë arsye qëndroi i shtruar për një periudhë kohe.