
Amnesty International e akuzon po kryen një gjenocid në Rripin e Gazës, reagon Izraeli: Gënjeshtra të pabaza, nga një organizatë anti-izraelite

Amnesty International denoncoi sot një “gjenocid të transmetuar drejtpërdrejt” që po kryhet nga Izraeli në Rripin e Gazës, ku lufta dhe bllokimi i ndihmës humanitare kanë çuar popullsinë në një gjendje dëshpërimi.
Izraeli e hodhi menjëherë poshtë këtë deklaratë si “gënjeshtra të pabaza” nga një “organizatë radikale anti-izraelite”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) deklaroi se refuzimi i Izraelit për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare në enklavën palestineze të rrethuar “po vret në heshtje”, kryesisht fëmijët dhe të sëmurët.
Më 2 mars, pak ditë pas përfundimit të një armëpushimi dhe rifillimit të ofensivës në Gaza si kundërpërgjigje për sulmin masiv të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli ndaloi plotësisht hyrjen e ndihmës jetike për 2,4 milionë banorët që po përballen me një krizë humanitare të paprecedentë.
“Shtetet po shikojnë Izraelin teksa masakron familje të tëra, breza pas brezash”
Pas “krimeve të tmerrshme” që kreu Hamasi mbi 18 muaj më parë, “bota po sheh në ekranet e saj një gjenocid të transmetuar drejtpërdrejt”, shkruan sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnès Callamard, në parathënien e raportit vjetor të organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, publikuar sot.
“Shtetet po shikojnë, sikur të ishin të pafuqishme, Izraelin teksa vret mijëra palestinezë, masakron familje të tëra për breza me radhë dhe shkatërron banesa, mjete jetese, spitale dhe shkolla,” shton ajo.
Në kapitullin e raportit që i kushtohet Lindjes së Mesme, Amnesty International përsërit akuzën për “gjenocid”, të bërë për herë të parë në fund të vitit 2024 dhe që është mohuar kategorikisht nga autoritetet izraelite.
Raporti përmend veçanërisht “vrasje”, shkaktim të “dëmeve të rënda në integritetin fizik dhe mendor të civilëve”, “dëbime të detyruara” dhe “zhdukje të detyruara”, si dhe “vendosje të qëllimshme të kushteve të jetesës me qëllim zhdukjen e njerëzve”.
“Bllokada e Gazës po vret në heshtje”, deklaroi edhe zëdhënësja e UNRWA-së, Juliette Touma, gjatë një informimi për mediat përmes internetit.
“Fëmijët e Gazës flenë të uritur. Të sëmurët dhe të plagosurit nuk mund të marrin trajtim mjekësor për shkak të mungesave (…) në spitale,” tha ajo. “Uria dhe dëshpërimi po përhapen ndërkohë që ndihma humanitare po përdoret si armë. Gaza është bërë një vend dëshpërimi.”
Lufta shpërtheu pas sulmeve të paprecedenta të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan vdekjen e 1.218 personave izraelitë, kryesisht civilë, sipas një bilanci të Agjencisë Franceze të Lajmeve bazuar në të dhënat zyrtare izraelite.
Të njëjtën ditë, 251 persona u rrëmbyen, nga të cilët 58 ende mbahen në Gaza dhe 34 janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite. “Do t’i sjellim mbrapsht,” përsëriti sot në një fjalim kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Përgjigja ushtarake e Izraelit, që është zotuar të eliminojë Hamasin, ka shkaktuar që atëherë vdekjen e të paktën 52.365 personave në Gaza, kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit në enklavë – të dhëna që konsiderohen të besueshme nga OKB.
Sot, shërbimi palestinez i Mbrojtjes Civile raportoi gjithashtu për shtatë të vdekur nga sulmet izraelite, katër prej të cilëve nga bombardimi i një tende të të zhvendosurve në Khan Yunis (jug).
“Ajo që dua, është të vendos një jastëk nën kokë dhe të mund të fle,” tha me lot në sy për agjencinë franceze Widnad Fojo, duke vajtuar për humbjen e familjarëve të tij.
Raporti i Amnesty thekson gjithashtu se 1,9 milionë palestinezë – gati 90% e popullsisë së Gazës – janë zhvendosur që nga fillimi i luftës dhe akuzon Izraelin se “ka shkaktuar qëllimisht një katastrofë humanitare të paprecedentë”.
“Gaza është një test për drejtësinë ndërkombëtare, një test për njerëzimin tonë,” deklaroi Hiba Morayef, përfaqësuese e organizatës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, gjatë një konference për shtyp.

E djathta mes pasqyrës së Berishës dhe Bashës!
ide


Kolapsi moral dhe politik i PD-së

Nuk mund të serviret më si premtim, ajo ç’ka përbën detyrim
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128