Arrestohen 97 studentë në Stamboll pas protestës në universitet

14 Maj 2025, 21:03 / BOTA ALFA PRESS

Arrestohen 97 studentë në Stamboll pas protestës në

Policia turke arrestoi 97 studentë të Universitetit Boğaziçi në Stamboll, pas protestave kundër pranisë së një predikuesi mysliman me pikëpamje të debatueshme në një konferencë të organizuar në ambientet e universitetit.

Studentët protestuan kundër Nurettin Yıldız, një figurë fetare e njohur në Turqi për deklaratat e tij kontraverse, përfshirë mbështetjen për martesat në moshë të hershme. Konferenca ku ai mori pjesë ishte organizuar nga një klub studentor brenda universitetit.

Sipas deklaratës së Guvernatorit të Stambollit, Davut Gül, policia ndërhyri kur protestuesit u përpoqën të kalonin kordonin e sigurisë brenda kampusit. Gjatë përplasjes, 13 oficerë policie u plagosën, pasi ranë në një gropë ndërtimi rreth pesë metra të thellë në zonën e kampusit.

Universiteti Boğaziçi ka qenë një pikë e nxehtë e protestave studentore dhe akademike vitet e fundit, veçanërisht pas emërimeve të kontestuara të drejtuesve të tij nga ana e qeverisë. Studentët dhe pedagogët e kanë akuzuar qeverinë për ndërhyrje politike në autonominë universitare.

Protestat në kampus janë intensifikuar veçanërisht pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, një nga kundërshtarët kryesorë politikë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Studentët shihen gjithnjë e më shumë si zë kritik ndaj zhvillimeve politike në vend.

 

Po ndodh...