Pekini nën presion, BE paralajmëron kufizime për importet kineze! Von der Leyen kërkon reciprocitet dhe qëndrim më të qartë ndaj luftës në Ukrainë

24 Korrik 2025, 16:07 / BOTA ALFA PRESS

Pekini nën presion, BE paralajmëron kufizime për importet kineze!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të enjten se Bashkimi Europian mund të detyrohet të kufizojë hapjen ndaj importeve kineze, nëse Kina nuk tregon më shumë reciprocitet tregtar dhe nuk përmbush kërkesat e BE-së.

Në një deklaratë pas takimit me udhëheqësit kinezë në Pekin, Von der Leyen theksoi se “Europa ka mbajtur tregjet e saj të hapura për mallrat kineze për shumë vite, në emër të një politike tregtare të bazuar në rregulla. Por kjo hapje nuk është shpërblyer në të njëjtën mënyrë nga Kina.”

Ajo shtoi se prodhimi i tepruar në Kinë, subvencionet shtetërore, mungesa e kërkesës së brendshme dhe kufizimet e vendeve të tjera ndaj mallrave kineze po ushtrojnë presion të pabarabartë mbi tregun e përbashkët të BE-së.

“Nëse nuk shohim përparim konkret në këtë drejtim, do të jetë gjithnjë e më e vështirë për BE-në të ruajë nivelin aktual të hapjes,” paralajmëroi Von der Leyen.

BE kërkon qëndrime më të qarta të Kinës ndaj luftës në Ukrainë

Në të njëjtën vizitë, Presidentja e Komisionit theksoi se qëndrimi i Kinës ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë do të jetë vendimtar për marrëdhëniet e ardhshme BE–Kinë.

Ajo i bëri thirrje udhëheqjes kineze që të përdorë ndikimin e saj ndaj Moskës për të nxitur një armëpushim dhe negociata për t’i dhënë fund luftës.

“Qasja e Kinës ndaj luftës së Putinit do të jetë një faktor kyç në mënyrën si do të zhvillohet bashkëpunimi ynë në të ardhmen,” tha Von der Leyen pas takimit me Presidentin kinez Xi Jinping.

Prioritet marrëveshja tregtare me SHBA

Në një tjetër deklaratë, Von der Leyen konfirmoi se prioritet i BE-së mbetet arritja e një marrëveshjeje të negociuar për tregtinë dhe tarifat me Shtetet e Bashkuara. Ajo bëri të ditur se po zhvillohen konsultime intensive politike me Uashingtonin dhe se të gjitha opsionet mbeten të hapura deri në arritjen e një rezultati të pranueshëm.

Gjithashtu, presidentja theksoi se marrëdhëniet e BE-së me Kinën bazohen në interesat dhe strategjitë e veta, të pavarura nga çështje që lidhen me vende të tjera.

Po ndodh...