Regjisori i famshëm spanjoll krahason presidentin Trump me diktatorin Franko

30 Prill 2025, 17:29 / BOTA ALFA PRESS

Regjisori i famshëm spanjoll krahason presidentin Trump me diktatorin

Regjisori i famshëm spanjoll, Pedro Almodóvar sulmoi ashpër presidentin amerikan, Donald Trump, ndërsa merrte një çmim në Nju Jork, sipas ”The Guardian”.

Duke folur në qendrën ”Lincoln”, të hënën në mbrëmje, ai tha se kishte qenë i dyzuar nëse duhej të udhëtonte drejt SHBA-së për të marrë çmimin ”Chaplin”.

“Dyshoja nëse ishte e përshtatshme të vija në një vend të sunduar nga një autoritet narcizist, i cili nuk respekton të drejtat e njeriut”, tha ai.

“Trump dhe miqtë e tij, milionerë dhe oligarkë, nuk mund të na bindin se realiteti që po shohim me sytë tanë është e kundërta e asaj që po jetojmë, sado që ai mund t’i shtrembërojë fjalët, duke pretenduar se ato nënkuptojnë të kundërtën e asaj që bëjnë. Imigrantët nuk janë kriminelë. Ishte Rusia ajo që pushtoi Ukrainën”, deklaroi Almodovar.

”Zoti Trump, po ju flas dhe shpresoj që të dëgjoni çfarë do t’ju them. Do të hyni në histori si gabimi më i madh i kohës sonë. Naiviteti juaj është i krahasueshëm vetëm me dhunën tuaj. Do të hyni në histori si një nga dëmet më të mëdha për njerëzimin… Do të hyni në histori si një katastrofë”, theksoi ai.

Regjisori, i cili xhiroi skena nga filmi i tij më i fundit, ”The Room Next Door”, jashtë auditorit ku fliste, krahasoi përvojën e tij nën Spanjën e Frankos me jetën nën Trump në SHBA-në e sotme.

Ai ia atribuoi evolucionit të atdheut të tij në demokraci në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80 lulëzimin e tij si regjisor.

”Është e pamundur të shpjegohet se çfarë do të thoshte ajo ndjenjë lirie absolute për një të ri që donte të bënte filma”, tha Almodovar.

Ata që i bënë homazhe fjalimit të regjisorit ishin edhe Dua Lipa, John Turturron, John Waters, Rossy de Palma, Mikhail Baryshnikovin, Martin Scorsese, Tilda Swinton dhe Antonio Banderas.

Waters e quajti Almodovarin “regjisorin më të mirë në botë”, ndërsa Lipa vlerësoi aftësinë e tij për të “normalizuar plotësisht rolet ose historitë transgjinore dhe gay, diçka që këto ditë duket si një akt mjaft radikal”.

Më parë këtë javë, Karla Sofia Gascon, aktorja spanjolle që u bë ylli i parë transgjinor i nominuar për një çmim Oscar, shprehu hezitimin e saj për t’u kthyer në SHBA.

“Nëse duan të më diskriminojnë për shkak të seksualitetit tim, atëherë do të jetë shumë e vështirë”, i tha ajo ”Hollywood Reporter”.

“Por, shpresoj. Pres me padurim të bëj miliona gjëra në Shtetet e Bashkuara sepse mendoj se është një vend i mrekullueshëm plot me diçka që të gjithë kemi dëshiruar në këtë botë, që është liria, dhe po e humbasim atë. Po e humbasim atë”, shtoi ajo.

“Jemi në një kohë shumë të ndërlikuar dhe të vështirë”, tha ajo duke shtuar se ”ndihem sinqerisht si një nga viktimat e para të gjithë kësaj urrejtjeje”.

 

Po ndodh...

ide